BALLKANI

Sejko: Aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat në Shqipëri kanë vijuar të rriten

Në një konferëncë për mediat mbi vendimmarrjen e politikës monetare, Sejko tha se aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të fundit, ndërsa sipas tij, inflacioni ka vijuar të ulet

Fatjon Cuka  | 08.05.2024 - Përdıtësım : 09.05.2024
Sejko: Aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat në Shqipëri kanë vijuar të rriten Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Guvernatori i Bankës Qendrore të Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar se ekonomia shqiptare ka lëvizur në kahun e pritur, raporton Anadolu.

Në një konferencë për mediat mbi vendimmarrjen e politikës monetare, Sejko tha se aktiviteti ekonomik, punësimi dhe pagat kanë vijuar të rriten gjatë dy tremujorëve të fundit, ndërsa sipas tij, inflacioni ka vijuar të ulet.

"Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se këto trende pozitive zhvillimi do të vijojnë edhe në të ardhmen. Vëllimi i aktivitetit ekonomik do të vijë në rritje gjatë vitit 2024 e në vazhdim, ndërsa inflacioni do të luhatet rreth niveleve aktuale gjatë dy tremujorëve të ardhshëm dhe do të rritet gradualisht drejt objektivit gjatë tremujorit të fundit", ka deklaruar Sekjo.

Ai është shprehur se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjykoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për garantimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.

"Në këndvështrimin makroekonomik, trendi rënës i inflacionit në vend vijon të përcaktohet nga rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, nga forcimi i kursit të këmbimit, si dhe nga normalizimi i qëndrimit të politikës monetare", tha Sejko.

Guvernatori Sejko shtoi se Politika monetare ka pasur një ndikim pozitiv në ruajtjen e ekuilibrave monetarë e financiarë të vendit.

"Normalizimi gradual dhe i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare ka bërë të mundur reduktimin e presioneve inflacioniste, pa dëmtuar perspektivat afatmesme të rritjes ekonomike. Në përgjigje të kësaj politike, tregjet financiare kanë qenë të qeta, në prani të një likuiditeti të bollshëm dhe të primeve të reduktuara të rrezikut", tha ai.

Sipas guvernatorit Sejko, aktiviteti ekonomik projektohet të vijojë të rritet, si në aspektin afatshkurtër dhe në atë afatmesëm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.