Seanca e parë e legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë do të mbahet më 12 shtator
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka nënshkruar dekretin për thirrjen e mbledhjes së parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, e dalë nga zgjedhjet e 11 majit

Tiranë
Mbledhja e parë e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë do të mbahet më 12 shtator 2025, transmeton Anadolu.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka nënshkruar dekretin për thirrjen e mbledhjes së parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë, e dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
Në një njoftim të publikuar nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se Begaj e konsideron hapjen e legjislaturës së re një faqe të re në jetën institucionale të Republikës së Shqipërisë.
"Shqipëria ndodhet përpara një momenti historik në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në përmbushjen e këtij prioriteti madhor Kuvendi ka nderin dhe detyrimin të jetë përfaqësuesi i vizionit dhe aspiratës së shqiptarëve për një Shqipëri evropiane. Legjislatura e re ka përgjegjësinë e vazhdimit të reformave, ndërlidhjes së funksionit ligjvënës me prioritetet dhe sfidat e vendit, përditësimit të vazhdueshëm të legjislacionit, kontrollit dhe mbikëqyrjes së qeverisjes, respektimit të normave kushtetuese, transparencës, diskutimeve konstruktive, bashkëpunimit, si dhe vendimmarrjes me urtësi në shërbim të përmirësimit të jetës së qytetarëve, interesave dhe të ardhmes së vendit", thuhet në mesazhin e Presidentit Begaj.
Begaj ka theksuar se prioriteti madhor i anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe sfidat me të cilat përballen qytetarët dhe vendi, si ato të sigurisë, drejtësisë, demografisë, ekonomisë, zhvillimit të qëndrueshëm, arsimit, shëndetësisë, bujqësisë, ndryshimet klimatike, mbrojtja e mjedisit, teknologjisë dhe inteligjencës artificiale kërkojnë vëmendje dhe zgjidhje të qëndrueshme.
Zgjedhjet e 11 majit
Më 11 maj 2025 në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet parlamentare për zgjedhjen e përbërjes së re të Kuvendit të Shqipërisë me 140 deputetë.
Partia Socialiste, partia në pushtet e drejtuar nga Kryeministri Edi Rama fitoi zgjedhjet, duket siguruar mandatin e katërt qeverisës.
Më 28 gusht, Komisioni Rregullator pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Shqipërisë (KQZ) shpalli rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare, rezultat që u certifikua më 4 shtator erdhe nga Kolegji Zgjedhor Gjyqësor.
Sipas rezultateve, Partia Socialiste ka fituar 83 mandate. Koalicioni i drejtuar nga partia më e madhe opozitës, Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore, renditet i dyti me 50 mandate.
Partia Socialdemokrate, ka fituar tre mandate, Partia Mundësia dy mandate, Koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet" dhe Partia Lëvizja Bashkë nga një mandat.
Në ditët në vazhdim pritet edhe shpallja e emrave të kabinetit të ri qeveritar.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.