Sarajevë: Vazhdojnë seancat publike të "Tribunalit të Gazës", i krijuar për të hetuar krimet ndaj palestinezëve
Në seanca u trajtuan tema të tilla si ekonomia politike e gjenocidit dhe shkatërrimi i Gazës, krimi i urisë, sistemi ndërkombëtar në epokën e gjenocidit, gjykatat popullore dhe kriminalizimi i protestave studentore.

Sarajevë
Seancat e para publike të Tribunalit të Gazës, i themeluar për të hetuar aspektet ligjore, politike dhe etike të ngjarjeve në Gaza nën sulmet izraelite, po vazhdojnë në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, raporton Anadolu.
Në ditën e dytë të seancave, akademikë, intelektualë, mbrojtës të të drejtave të njeriut, përfaqësues të mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, të cilët u mblodhën për të hetuar krimet e vazhdueshme të luftës të Izraelit në Gaza, mbajtën fjalime nën temën “Marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rendi botëror".
Seancat, që po zhvillohen në Universitetin Ndërkombëtar të Sarajevës (IUS), trajtuan tema të tilla si ekonomia politike e gjenocidit dhe shkatërrimi i Gazës, krimi i urisë, sistemi ndërkombëtar në epokën e gjenocidit, gjykatat popullore dhe kriminalizimi i protestave studentore.
Ekspertë dhe dëshmitarë të gjenocidit folën gjithashtu në sesione, duke përfshirë Lara Elborno, Hilal Elver, David Whyte, Penny Green, Mazin Qumsiyeh, Sami Al Arian, Azzam Tamimi, Noura Erakat, Craig Mokhiber, Phyllis Bennis, Michelle Burgis-Kasthala, Gianni Tognoni, Ramzy Baroud, Haidar Eid dhe Asmer Safi.
Një nga udhëheqësit e iniciativës së Tribunalit të Gazës dhe ish-Raportuesi Special i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Palestinën, Richard Falk, gjithashtu iu bashkua pjesës së parë të seancave nëpërmjet internetit.
- Deklarata e Sarajevës do t’i prezantohet opinionit
Si pjesë e programeve, do të mbahen panele me temat “Realizmin politik dhe gjeopolitikën bashkëkohore” dhe “Ekonominë politike të gjenocidit”, si dhe një panel i posaçëm me temë “Nga Srebrenica në Gaza”.
Në ditën e fundit të Tribunalit të Gazës, e cila është inicuar si një organizim civil, para opinionit do të prezantohet Deklarata e Sarajevës, e përgatitur me kontributin e të gjithë pjesëmarrësve.
Tribunali, i cili filloi më 26 maj dhe do të zgjasë deri më 29 maj, është organizuar me mbështetjen e Forumit Rinor të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (ICYF), i cili përbëhet nga 66 anëtarë të organizatave rinore, duke përfshirë 50 organizata rinore nga vendet anëtare dhe 16 organizata ndërkombëtare rinore që përfaqësojnë pakicat myslimane.
- Vendimi përfundimtar do të shpallet në Stamboll
Iniciativa e Tribunalit të Gazës u krijua në nëntor 2024 në një takim në Londër, kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar, nga një grup akademikësh, intelektualësh, mbrojtësish të të drejtave të njeriut dhe përfaqësuesish të organizatave të shoqërisë civile, me arsyetimin e “dështimit të plotë të bashkësisë ndërkombëtare për të zbatuar ligjin ndërkombëtar në Gaza”.
Në seancën dëgjimore që do të mbahet në Stamboll në tetor, ku do të merret vendimi përfundimtar, bordi i tribunalit, i cili përfshin ekspertë në fushat e ligjit, kulturës, politikës dhe shoqërisë civile, do të dëgjojë deklaratat e viktimave dhe dëshmitarëve dhe do të shpallë draftin e vendimit përfundimtar. Përveç kësaj, do të shpallen vendime që përmbajnë një mandat të veçantë dhe rekomandime, në përputhje me zhvillimet e fundit në lidhje me procesin e Tribunalit të Gazës.
- Si u krijua Tribunali i Gazës për të trajtuar ngjarjet në Gaza?
Tribunali i Gazës u mblodh kryesisht për të hetuar dhe vlerësuar akuzat për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe krime ndërkombëtare, përfshirë gjenocidin, të kryera nga Izraeli pas 7 tetorit.
Gjykata, e cila merret me shkeljet e të drejtave të njeriut në Gaza, shquhet si një iniciativë e organizuar nga mbrojtës të të drejtave të njeriut, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare dhe organizata ndërkombëtare dhe rajonale të shoqërisë civile.
E themeluar si një iniciativë e pavarur, gjykata synon të tërheqë vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare duke sjellë në agjendë shkeljet serioze të të drejtave të njeriut kundër popullit palestinez.
Seancat dëgjimore do të përqendrohen në shkallën e krizës humanitare në Gaza, do të adresojnë mungesën e përgjegjësisë për krimet e vazhdueshme të luftës të kryera nga Izraeli dhe do të dëgjojnë dëshmi nga individë dhe organizata të shoqërisë civile të prekura nga këto krime. Izraeli do të gjykohet në mungesë nga anëtarët e gjykatës për gjenocid dhe krime lufte në Gaza.
Qëllimi është që gjykata të zhvillojë procedurat në një mënyrë plotësisht transparente, të veprojë në mënyrë të pavarur nga qarqet ndërkombëtare të pushtetit dhe pa kufizime, dhe të përfundojë detyrën e saj brenda një afati kohor të realizueshëm.
“Tribunali i Gazës” synon të ofrojë një forum alternativ për shkeljet e të drejtave të njeriut që institucionet ndërkombëtare gjyqësore si Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) nuk mund t’i adresojnë për shkak të ndikimit politik ose për shkak të vonesës së madhe në përfundimin e çështjeve. Në këtë derjtim, gjykata nuk është një alternativë ndaj GJND-së dhe GJND-së, por synon të mbështesë këto institucione, me qëllim prodhimin e rezultateve ligjërisht të besueshme dhe rritjen e ndërgjegjësimit global.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.