BALLKANI

Sarajevë: Lexohen emrat e fëmijëve të vrarë në Gaza dhe gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak

"Lidhja e emrave të fëmijëve të vrarë në Gaza me emrat e fëmijëve të vrarë në Sarajevë është një akt solidariteti dhe kujtese historike", thanë organizatorët

Vesna Besic  | 10.02.2026 - Përdıtësım : 10.02.2026
Sarajevë: Lexohen emrat e fëmijëve të vrarë në Gaza dhe gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak Foto: Denis Zuberi/AA

Sarajevë

Qytetarë të Sarajevës u mblodhën të martën në mbrëmje në qendër të qytetit, mes Monumentit për Fëmijët e Vrarë të Sarajevës së Rrethuar dhe Flakës së Përjetshme, për të kujtuar fëmijët e vrarë gjatë rrethimit të Sarajevës dhe në Gaza, si dhe për të rikujtuar rëndësinë e rezistencës ndaj të gjitha formave të fashizmit dhe të ruajtjes së humanitetit, raporton Anadolu.

“Leximi i emrave të fëmijëve të vrarë është një thirrje për të mbetur njeri. Lidhja e emrave të fëmijëve të vrarë në Gaza me emrat e fëmijëve të vrarë në Sarajevë është një akt solidariteti dhe kujtese historike. Sarajeva është një qytet që iu nënshtrua dhunës sistematike dhe vrasjes së fëmijëve, duke pritur që bota të reagojë”, thanë organizatorët, mes të cilëve janë një grup joformal qytetarësh, Shoqata e Prindërve të Fëmijëve të Vrarë të Sarajevës së Rrethuar dhe NP Muzetë e Qytetit.

“Pikërisht për këtë arsye, kujtesa kolektive e qytetareve dhe qytetarëve të Sarajevës nuk mbyllet në korniza lokale, por lidhet me njerëz në mbarë planetin që kalojnë përvoja të ngjashme”, theksuan organizatorët, duke shtuar: “Gaza është një nga ato vende prej disa dekadash dhe intensivisht për më shumë se dy vjet”.

Fikret Grabovica, kryetar i Shoqatës së Prindërve të Fëmijëve të Vrarë të Sarajevës së Rrethuar, theksoi rëndësinë e ngjarjes.

“Kjo ngjarje ka një rëndësi të shumëfishtë. Simbolika e lidhjes së Gazës, ku ende po vriten fëmijë, me atë që ndodhi këtu gjatë rrethimit të Sarajevës, kujton vuajtjet e shkaktuara nga fashizmi. Është e rëndësishme që qytetarët të mos harrojnë çfarë ka ndodhur dhe që këtë të vërtetë t’ua përcjellin të rinjve”, tha ai.

Ai tha gjithashtu se ka simbolikë në faktin që emrat u lexuan mes dy monumenteve në Sarajevë – Monumentit për Fëmijët e Vrarë të Sarajevës së Rrethuar dhe Flakës së Përjetshme.

“Si fëmijët në Luftën e Dytë Botërore, ashtu edhe fëmijët gjatë rrethimit të qytetit, u vranë për shkak të fashizmit; rrethanat janë të njëjta”, tha ai.

“Mesazhi ynë është që të gjithë qytetarët e këtij qyteti nuk duhet dhe nuk guxojnë të harrojnë çfarë ka ndodhur gjatë rrethimit të qytetit”, shtoi Grabovica.

Gjatë gjenocidit izraelit në Gaza janë vrarë më shumë se 17.000 fëmijë, ndërsa janë plagosur pothuajse dyfish më shumë. Gati të gjithë fëmijët në Gaza kanë përjetuar trauma të thella nga humbja e prindërve, vëllezërve dhe motrave, nga bombardimet e vazhdueshme, dhe shumë prej tyre kanë përjetuar uri dhe rrezik të vdekjes nga uria.

Gjatë rrethimit të Sarajevës në kohën e Luftës së Bosnjës në vitet 90, u vranë 1.601 fëmijë, ndërsa ngjarja e sontme lidhi simbolikisht kujtesën e Sarajevës me tragjedinë e fëmijëve në Gaza, duke theksuar mesazhin universal kundër dhunës ndaj më të vegjëlve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın