BALLKANI

Sarajeva pret Forumin Ministror BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme

Komisari i BE-së për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, falënderoi nikoqirët për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së dhe vendeve të rajonit.

Elvır Hodzıc  | 30.10.2025 - Përdıtësım : 30.10.2025
Sarajeva pret Forumin Ministror BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme Foto: Samır Jordamovıc/AA

Sarajevë

Bosnjë dhe Hercegovina është nikoqire e Forumit Ministror Bashkimi Evropian–Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, i cili po zhvillohet më 30 dhe 31 tetor në Sarajevë, transmeton Anadolu.

Ngjarja organizohet nga Presidenca daneze e Këshillit të Bashkimit Evropian, në bashkëpunim me Ministrinë e Sigurisë dhe Ministrinë e Drejtësisë së Bosnjë e Hercegovinës.

Forumi mbledh ministrat e brendshëm dhe të drejtësisë të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfaqësues të presidencës aktuale dhe të ardhshme të BE-së, komisarë të Bashkimit Evropian për punët e brendshme dhe drejtësinë, si dhe përfaqësues të agjencive përkatëse të BE-së.

Komisari i BE-së për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner, falënderoi nikoqirët për mikpritjen dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes BE-së dhe vendeve të rajonit.

“Së bashku me partnerët tanë po forcojmë bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe kërcënimeve të sigurisë në hapësirën onlajn. Aktivitetet tona të përbashkëta në fushën e migracionit tashmë po japin rezultate konkrete. Falë harmonizimit të politikës së vizave, forcimit të kontrollit kufitar dhe pranisë së Frontex-it në rajon, numri i kalimeve të paligjshme drejt BE-së është ulur me 90 për qind që prej vitit 2022, çka dëshmon rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për sigurinë e brendshme të Evropës. Duhet të vazhdojmë dhe intensifikojmë këtë bashkëpunim, si dhe të përfundojmë harmonizimin e politikës së vizave me të gjithë partnerët në rajon”, shkroi Brunner në rrjetet sociale.

Dita e parë e Forumit është përqendruar tek çështjet e brendshme, me fokus në sigurinë onlajn, menaxhimin e migracionit, azilin, kufijtë dhe harmonizimin e politikës së vizave.

Në margjinat e takimit do të nënshkruhet një Plan i ri i Përbashkët Veprimi për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në Ballkanin Perëndimor.

Dita e dytë e forumit do t’i kushtohet drejtësisë, me theks të veçantë te forcimi i sundimit të ligjit përmes reformës në drejtësi, luftës kundër korrupsionit, forcimit të rezistencës demokratike dhe mbrojtjes së të drejtave themelore.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın