BALLKANI

Samiti në Tiranë: Përsëritet angazhimi i BE-së ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor

Pjesëmarrësit dolën në përfundim me 32 pika, ndër të parat, ku u theksua se lufta e Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale, si dhe u përmend edhe angazhimi i BE-së ndaj perspektivës së Ballkanit Perëndimor

Ekip  | 06.12.2022 - Përdıtësım : 06.12.2022
Samiti në Tiranë: Përsëritet angazhimi i BE-së ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Pas përfundimit të seancës plenare të samitit Bashkimi Evropian (BE) - Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Tiranë, liderët e BE-së dhe të vendeve anëtare të bllokut, në konsultim me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në prani të palëve të interesuara rajonale dhe ndërkombëtare dolën me një përfundim të përbashkët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Samiti, i pari që zhvillohet në rajon, ka mbledhur së bashku liderët e BE-së, nga vendet e BE-së dhe rajonit, të cilët do të diskutojnë për disa çështje në kryeqytetin e Shqipërisë.

Përmes një deklarate nga samiti, pjesëmarrësit dolën në përfundim me 32 pika, ndër të parat, ku u theksua se lufta e Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale, si dhe u përmend edhe angazhimi i BE-së ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe përshpejtimi i këtij procesi të anëtarësimit.

"Përshkallëzimi i luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane dhe globale dhe nënvizon rëndësinë e partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor", thuhet në pikën e parë të deklaratës së përbashkët.

Në deklaratë po ashtu theksohset angazhimi i BE-së ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe bëhet thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit, duke përshëndetur progresin e bërë nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin përkatës drejt BE-së që nga samiti BE - Ballkani Perëndimor të mbajtur në Brdo në tetor të vitit 2021.

"Qëndrimi së bashku me BE-në është një shenjë e qartë e orientimit strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurrë, teksa Rusia përshkallëzon luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës. Një vizion i përbashkët për të ardhmen përfshin përgjegjësi reciproke dhe vlera të përbashkëta", theksohet më tej.

Sipas deklaratës, BE-ja mbetet partneri më i afërt, investitori kryesor, si dhe partneri tregtar dhe donatori parësor i rajonit.

"Shkalla dhe diapazoni i jashtëzakonshëm i kësaj mbështetjeje duhet të bëhen më të dukshme dhe të pasqyrohen në mënyrë dinamike nga partnerët në debatin dhe komunikimin e tyre publik, në mënyrë që qytetarët të munden të vlerësojnë përfitimet konkrete të partneritetit me BE-në", theksoi deklarata, duke shtuar se BE-ja rikujton rëndësinë e vazhdimit të reformave, "si për të mirën e qytetarëve ashtu edhe si bazë për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, dhe në veçanti të atyre reformave që lidhen me pavarësinë dhe funksionimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar".

Në deklaratë përmendet edhe mbështetja e BE-së për angazhimin e Ballkanit Perëndimor për "bashkëpunim rajonal përfshirës dhe forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë edhe me vendet anëtare të BE-së.

"Kërkohen ende përpjekje të mëtejshme vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal, si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, përfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet dypalëshe dhe rajonale midis partnerëve dhe për çështjet që i kanë rrënjët në trashëgiminë e së shkuarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e vendosura, përfshirë këtu edhe Marrëveshjen për Çështjet e Trashëgimisë dhe rastet e mbetura të personave të zhdukur dhe çështjet e krimeve të luftës", porisitet në deklaratë, duke u theksuar se BE-ja u bën gjithashtu thirrje partnerëve të "garantojnë të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave".

Dialogu Prishtinë-Beograd

Në deklaratë po ashtu mbështeten përpjekjet e përfaqësuesit të lartë të BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe për çështjet e tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor.

"Presim progres konkret nga të dy palët drejt një marrëveshjeje të plotë dhe ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Kjo është kritike për stabilitetin dhe zhvillimin e të gjithë rajonit dhe për të siguruar se palët munden të vazhdojnë rrugëtimet evropiane përkatëse. Ne përsëritim pritmërinë tonë të fortë që të gjitha marrëveshjet e mëparshme të respektohen plotësisht dhe të zbatohen pa vonesë", theksoi deklarata.

Më tej, po ashtu bëhet thirrje që të dy palët të angazhohen në mënyrë konstruktive për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe dhe të mos marrin veprime të njëanshme ose provokuese që mund të shkaktojnë tensione, dhunë dhe retorikë që nuk shpie drejt dialogut.

"Trajtim i përbashkët i ndikimit negativ të luftës së Rusisë kundër Ukrainës"

Më tej, në deklaratë theksohet edhe nevoja për një trajtim të përbashkët të ndikimit negativ të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, si dhe ndërtimi i një themeli të fortë ekonomik për të ardhmen.

"Rusia është përgjegjësja e vetme për krizën aktuale energjetike dhe ekonomike. BE-ja do të vazhdojë mbështetjen e saj për partnerët e Ballkanit Perëndimor në trajtimin e pasojave negative në ekonomitë dhe shoqëritë e tyre", theksohet në deklaratë.

Në deklaratë paralajmërohet një paketë re e bllokut evropian për mbështetje energjetike në një vlerë prej 1 miliardë euro grane, me të cilët synohet sjellja e 2.5 miliardë euro investimeve që "do të ndihmojnë Ballkanin Perëndimor të zbutë ndikimin e krizës energjetike dhe të përshpejtojë tranzicionin energjetik në rajon".

"Intensifikimi i angazhimit politik dhe të politikave"

"BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë të vendosur të përshpejtojnë dhe thellojnë angazhimin tonë politik dhe të politikave, duke përfshirë ndër të tjera mbajtjen e samiteve të rregullta BE-Ballkani Perëndimor, pjesëmarrjen e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në veprimtaritë dhe takimet e nivelit të lartë të BE-së dhe dialogët e rregullt në kuadrin e PPJS-së", thuhet në deklaratë.

Po ashtu theksohet se partnerët e Ballkanit Perëndimor janë ftuar tashmë të japin mendime në mbledhjet e Këshillit të Punëve të Jashtme dhe më pas të marrin një përmbledhje nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian. Ky angazhim i rritur pasqyron përkushtimin e BE-së për rajonin.

"BE-ja do të thellojë më tej bashkëpunimin ndërsektorial me Ballkanin Perëndimor në fusha me interes të përbashkët si drejtësia dhe punët e brendshme, ekonomia dhe tregu i brendshëm i BE-së, energjia, transporti dhe politika digjitale, mbrojtja civile, shëndetësia, politikat sociale, arsimi dhe kërkimi dhe inovacioni si dhe politika e jashtme, siguria dhe mbrojtja, duke përfshirë trajtimin e kërcënimeve kibernetike dhe kërcënimet e tjera hibride dhe kundër-terrorizmin", theksohet në deklaratë.

Më tej, blloku përshëndet "punën e të gjitha ekonomive të Ballkanit Perëndimor drejt modernizimit të sistemeve të tyre të pagesave për t’i sjellë ata më afër standardeve të BE-së dhe për plotësimin e kushteve për integrimin në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro".

Sa i përket fushës digjitale, duke u mbështetur në zbatimin e suksesshëm të Marrëveshjes së Udhërrëfyesit Rajonal “Roam like at Home” që nga korriku i vitit 2021 për eliminimin e kostove të roaming-ut brenda rajonit, në deklaratë u përshëndet marrëveshja e "operatorëve të telekomunikacionit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, cila që do të bëjë të mundur uljen e parë të kostove të roaming-ut midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në vitin 2023, me synimin për t’i hequr ato plotësisht më pas.

"Përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndresës ndaj ndërhyrjeve të huaja"

Sipas deklaratës, BE-ja dhe Ballkani Perëndimor kanë të përbashkëta një numër sfidash të sigurisë që kërkojnë veprime të bashkërenduara, të cilat janë bërë, siç theksohet në deklaratë, edhe më të rëndësishme në kontekstin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

"BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë të vendosur të forcojnë më tej bashkëpunimin për çështjet thelbësore të sigurisë dhe mbrojtjes, edhe në nivel operacional. Në këtë drejtim, ne mirëpresim faktin që partnerët kanë dëshmuar përkushtimin e tyre ndaj Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (PPSM), duke kontribuar në misionet dhe operacionet e BE-së për menaxhimin e krizave", thuhet në deklaratë.

Po ashtu theksohet se BE-ja do të vazhdojë të punojë së bashku me rajonin për të zhvilluar më tej aftësitë dhe kapacitetet mbrojtëse të tij, edhe nëpërmjet Instrumentit Evropian të Paqes.

"BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë të angazhuar të luftojnë manipulimin dhe ndërhyrjen e informacionit të huaj, duke përfshirë dezinformimin si dhe kërcënime të tjera hibride që janë të pranishme në shoqëritë e Ballkanit Perëndimor dhe synojnë të minojnë stabilitetin e rajonit, proceset demokratike dhe perspektivën e tij evropiane", theksoi deklarata, ku po ashtu thuhet se në këtë pikëpamje BE_ja do të forcojmë më tej bashkëpunimin për të ngritur qëndresën, duke rritur gjithashtu "profesionalizmin dhe edukimin e medieve dhe duke rritur ndikimin e komunikimit strategjik rreth marrëdhënieve BE - Ballkani Perëndimor".

"Migracioni i parregullt, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar""

Sipas deklaratës së përbashkët rrugët e migracionit në Ballkanin Perëndimor kanë parë rritje të ndjeshme që nga fillimi i vitit 2022 dhe menaxhimi i migracionit mbetet "sfidë dhe përgjegjësi e përbashkët", të cilën BE-ja dhe Ballkani Perëndimor do ta trajtojnë së bashku, në partneritet të ngushtë.

Për këtë qëllim, thuhet më tej, BE-ja ka rritur ndjeshëm mbështetjen e saj financiare për rajonin me më shumë se 170 milionë euro asistencë dypalëshe dhe rajonale të ofruar tashmë në kuadrin e instrumentit IPA III.

"Teksa përgëzojmë partnerët tanë për përpjekjet e tyre dhe bashkëpunimin konstruktiv deri më sot, kërkohen përpjekje të qëndrueshme dhe të zgjeruara për të trajtuar migracionin e parregullt në rrugën e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë luftën kundër kontrabandimit dhe trafikimit të qenieve njerëzore. BE-ja mbetet e angazhuar të mbështetë rajonin, si politikisht ashtu edhe financiarisht", thuhet në deklaratë.

Në dritën e trysninë së shtuar migratore në rajon, deklarata thekson se mbështetja e fortë financiare e BE-së përmes programeve të posaçme do t’u mundësojë partnerëve të forcojnë "sistemet e azilit dhe të pritjes, të rritin mbrojtjen e kufirit, të luftojnë rrjetet e kontrabandës dhe grupet e krimit të organizuar dhe të shtojnë kthimet nga Ballkani Perëndimor drejt vendeve të origjinës".

Në këtë perspektivë, BE-ja ka miratuar një program të ri për forcimin e menaxhimit të kufirit me vlerë 40 milionë euro dhe po përgatit një program të dytë për rritjen e kapaciteteve për luftën kundër kontrabandimit të migrantëve dhe trafikimit të qenieve njerëzore, duke i dhënë vëmendje hetimeve dhe përndjekjes penale, me vlerë 30 milionë euro.​​​​​​

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın