Sali-Brunner: Maqedonia e Veriut, partner i besueshëm i BE-së në fushën e migracionit dhe menaxhimit të kufijve
Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, ka realizuar sot takim me Komisionerin Evropian për Punë të Brendshme dhe Migrim, Magnus Brunner
Tiranë
Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bekim Sali, realizoi takim me Komisionerin Evropian për Punë të Brendshme dhe Migrim, Magnus Brunner, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Ministria për Çështje Evropiane thuhet se gjatë takimit u diskutuan çështje kyçe lidhur me procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, menaxhimin e migracionit, sigurinë kufitare dhe luftën kundër krimit të organizuar.
"Në takim u konfirmua përkushtimi i fuqishëm i Qeverisë për vazhdimin e reformave në kuadër të klasterit i 'Themeloret', me theks të veçantë në sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe mbrojtjen e të drejtave themelore. Ministri Sali theksoi angazhimin e vendit për përmbushjen e kritereve hapëse dhe ruajtjen e dinamikës reformuese", thuhet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se vëmendje e veçantë iu kushtua zbatimit të Sistemit të Hyrje-Daljes të Bashkimit Evropian dhe ndikimit të tij mbi shoferët profesionistë nga rajoni.
Më tej theksohet se ministri Sali nënvizoi nevojën për një zgjidhje pragmatike dhe proporcionale që do të ruajë stabilitetin ekonomik dhe funksionimin e zinxhirëve të furnizimit, "duke pasur parasysh se Maqedonia e Veriut është vend pa dalje në det dhe plotësisht e varur nga transporti rrugor".
"Në fushën e migracionit dhe menaxhimit të kufijve, u theksua se Maqedonia e Veriut mbetet partner i besueshëm i Bashkimit Evropian, me zbatim të plotë të Marrëveshjes së Statusit me Agjencinë Evropiane për Rojën Kufitare dhe Bregdetare dhe me pjesëmarrje aktive në operacionet e përbashkëta. Bashkëbiseduesit riafirmuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të drogës dhe kontrabandimit të emigrantëve, si dhe forcimin e shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit operacional", thekson njoftimi.
Sali ritheksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për "harmonizim të plotë me standardet evropiane dhe avancimin e bashkëpunimit institucional në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian".
