BALLKANI

Sërish dështon përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Edhe këtë herë, seanca nisi me votimin për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, por shumica e partive e kundërshtuan këtë komision duke mos propozuar anëtarin e tyre për këtë komision

Agim Sulaj  | 17.05.2025 - Përdıtësım : 17.05.2025
Sërish dështon përpjekja për konstituimin e Kuvendit të Kosovës Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet edhe pas takimit që pati këtë javë me presidenten Vjosa Osmani për konsultime politike me qëllim të daljes nga kriza politike dhe institucionale, raporton Anadolu.

Edhe këtë herë, seanca nisi me votimin për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, por shumica e partive e kundërshtuan këtë komision duke mos propozuar anëtarin e tyre për këtë komision.

Nga deputetët e pranishëm në sallë vetëm 53 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër dhe nuk pati abstenime.

“Atëherë shihemi më 19 maj në orën 10:30”, theksoi kryesuesi i seancës, Avni Dehari.

Pas seancës, kreu i partisë së dytë më të madhe, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, theksoi se kjo tregon që me përsëritje të seancave, vullneti i Lëvizjes Vetëvendosje nuk është për të bërë zgjidhje.

“Është mungesë e përgjegjësisë karshi qytetarëve që i kanë votuar dhe Kosova çdo ditë është duke humbur”, theksoi Krasniqi.

Nga 61 vota të nevojshme, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe nëntë nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare u takuan me presidenten Osmani me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025. Por krerët e partive politike, përpos Lëvizjes Vetëvendosje, thanë se nuk pati ndonjë përparim, megjithëse takimin e panë si të nevojshëm.

Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe gjatë javës së ardhshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.