BALLKANI

"Rreziku për Kosovën nuk vjen vetëm nga Serbia, por nga mospranimi në BE dhe NATO"

Sipas Visokës, Kosova ka një ambiguitet për të ardhmen e saj evropiane, megjithë progresin që ka bërë në demokraci, ekonomi dhe fusha të tjera, por që ndërkombëtarët e shohin këtë vend si "projekt të papërfunduar"

Agim Sulaj  | 03.06.2025 - Përdıtësım : 04.06.2025
"Rreziku për Kosovën nuk vjen vetëm nga Serbia, por nga mospranimi në BE dhe NATO" Foto: Erkin Keçi / AA

Kosova

Në kuadër të Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Prishtinë është mbajtur paneli me titull "Roli i Ballkanit Perëndimor në Sigurinë e Evropës", raporton Anadolu.

Në këtë panel ku morën pjesë njohës të çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare nga vende të ndryshme, u vlerësua si kyçe për sigurinë evropiane çështja e Ballkanit Perëndimor.

Gëzim Visoka, Profesor i asociuar për Studimet e Paqes dhe Konfliktit në Universitetin e Dublinit, tha se për Kosovën nuk përbën kërcënim vetëm Serbia, por edhe mosanëtarësimi i saj në Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO.

"Kërcënimi për sigurinë (e Kosovës) jo detyrimisht vjen vetëm nga Serbia apo vendet tjera joperëndimore, por vjen nga mosnjohja e Bashkimit Evropian dhe NATO-ja. Pra, dua të vë theksin në këtë siguri ekzistenciale e cila lidhet me njohjen", theksoi ai, duke shtuar se ky fakt është "elefanti në dhomë", por që është realiteti për Kosovën.

Sipas tij, Kosova ka një ambiguitet për të ardhmen e saj evropiane, megjithë progresin që ka bërë në demokraci, ekonomi dhe fusha të tjera, por që ndërkombëtarët e shohin këtë vend si "projekt të papërfunduar".


- Kosova nuk ka probleme me sundimin e ligjit aq sa në pesë vendet tjera të rajonit

Marta Szpala, Eksperte Kryesore Polake për Ballkanin Perëndimor, tha se ajo çfarë i nevojitet vendeve në rajonin e Ballkanit Perëndimorë është ripërtëritja e liderëve shtetërorë dhe sundimi i ligjit.

"Por, po shohim tani në rajon se me protesta po kërkohet sundim i ligjit dhe ndryshim veçanërisht tek gjeneratat e reja, në Serbi natyrisht, por gjithashtu edhe në Maqedoninë e Veriut, në Mal të Zi, po kërkojnë politika ndryshe dhe politikanë që zgjidhin probleme jo të atillë që krijojnë probleme", theksoi Szpala.

Szpala tha se Kosova nuk ka edhe aq probleme me sundimin e ligjit sa vërehet kjo në pesë vendet tjera të Ballkanit Perëndimorë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.