BALLKANI

Rifillojnë gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës në Kizhevak

"Në ditën e parë të gërmimeve është kryer dekonzervimi i terrenit, ndërsa nesër do të fillohet me tërheqjen e eshtrave”, njofton ZKM

Agim Sulaj  | 05.05.2021 - Përdıtësım : 06.05.2021
Rifillojnë gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës në Kizhevak

Prishtinë

Në Kizhevak të Rashkës në Serbi kanë rifilluar gërmimet për mbetjet mortore të viktimave të luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim për media nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës (ZKM), bëhet e ditur se pjesë e gërmimeve janë ekspertët mjekoligjorë nga Kosova, në kuadër të Grupit Punues për Persona të Zhdukur.

“Në ditën e parë të gërmimeve është kryer dekonzervimi i terrenit, ndërsa nesër do të fillohet me tërheqjen e eshtrave”, njofton ZKM.

Siç bëhet e ditur, gërmimet vlerësuese dhe zhvarrosjet e mbetjeve mortore të viktimave të luftës së fundit në Kosovë do të vazhdojnë në këtë lokacion së paku për dy javë rresht. Do të punohet gjashtë ditë në javë, ndërsa të dielën do të bëhet ndërrimi i ekipeve.

Ekspertët mjekoligjorë të Republikës së Kosovës do të vazhdojnë të jenë në lokacionin e varrezës masive deri në përfundim të procesit.

Sipas Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), ekspertët e këtij misioni kanë kryer gërmime në Kizhevak që prej vitit 2015, ndërsa më 16 nëntor të vitit 2020 u zbuluan mbetje mortore të cilat dyshohet se janë të viktimave të luftës së vitit 1999 në Kosovë. Gërmimet gjatë vitit të kaluar u pezulluan në dhjetor, për shkak të motit jo të favorshëm

Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur në Kosovë bëri të ditur gjatë janarit të këtij viti se mbetjet mortore ende nuk janë identifikuar, ndërsa “në momentin e identifikimit, ata do barten në vendet nga u takojnë”.

Pas më shumë se dy dekadave nga lufta e fundit në Kosovë, ende nuk dihet fati i mbi 1.600 personave.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın