BALLKANI

Rezultatet preliminare: LVV dhe LDK me numër të barabartë komunash, Prishtina mbetet nën udhëheqjen e LDK-së

Sipas rezultateve preliminare të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, LVV-ja dhe LDK-ja udhëheqin secila në 5 komuna, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja kanë siguruar nga tre komuna. Partia turke KDTP dhe Lista Serbe gjithashtu kanë siguruar nga një komunë

Agim Sulaj  | 09.11.2025 - Përdıtësım : 09.11.2025
Rezultatet preliminare: LVV dhe LDK me numër të barabartë komunash, Prishtina mbetet nën udhëheqjen e LDK-së Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Sipas rezultateve preliminare të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, ku 18 komuna të vendit garuan në balotazh, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) udhëheqin secila në 5 komuna, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë siguruar nga tre komuna, raporton Anadolu.

Sipas rezultateve preliminare deri më tani të numëruara, edhe Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) dhe Lista Serbe kanë siguruar nga një komunë.

Nga numërimi i 91,42 për qind të kutive të votimit në Prishtinë po prinë kandidati i LDK-së, Përparim Rama, me 51,45 për qind të votave të siguruara, krahasuar me kandidatin Hajrulla Çeku të LVV-së që ka siguruar 48,55 për qind.

Në komunën e dytë më të madhe të vendit, në Prizren, nga 97,46 për qind e kutive të numëruara të votimit, kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, ka siguruar 53,94 për qind të votave kundrejt Artan Abrashin nga LVV-ja që ka marrë 46,06 për qind.

Në Pejë, nga numërimi i 97,86 për qind të kutive të votimit, kandidati i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka siguruar 60,93 për qind, ndërsa kandidati i LVV-së, Taulant Kelmendi, 39,07 për qind.

Në qytetin e Mitrovicës së Jugut nga numërimi i 94,24 për qind të kutive të votimit, po prinë kandidati i LVV-së, Faton Peci, me 53,54 për qind, ndërsa Arian Tahiri nga PDK-ja ka marrë 46,46 për qind.

Në Gjakovë, nga numërimi i 100 për qind të kutive të numëruara, kandidati i AAK-së, Ardian Gjini, ka siguruar 56,03 për qind të votave kundrejt kandidatit Ardian Golën nga LVV-ja që ka 43,97 për qind.

Në qytetin e Gjilanit janë numëruar 100 për qind të kutive të votimit dhe atje me 61,06 për qind të votave prinë kandidati i LVV-së, Alban Hyseni, kundrejt kandidatit të LDK-së, Arbër Ismajli, i cili ka siguruar 38,94 për qind.

Në 18 komuna të Kosovës u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të 12 tetorit ku qytetarët patën mundësi të zgjedhin vetëm një nga dy kandidatët më të votuar në raundin e parë. Numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar në raundin e dytë është 429 mijë e 736 votues apo 32,64 për qind nga 1 milionë e 316 mijë e 672 votues.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.