"Retro", koleksioni unik i automjeteve të vjetra në Shqipëri
Automjetet në fjalë që sot identifikohen zyrtarisht nën logon "Retro" posedohen nga koleksionistë të ndryshëm, të cilët me pasionin e tyre kanë arritur të ruajnë ndër vite, por edhe dekada makina të tilla unike në llojin e tyre

Tiranë
Koleksionimi i automjeteve të vjetra është një trend që vazhdon prej vitesh në Shqipëri, ndërkohë shumë koleksionistë me pasionin e tyre kanë arritur që të ruajnë dhe koleksionojnë makina me vlera të rralla historike.
Automjetet në fjalë që sot identifikohen zyrtarisht nën logon "Retro" posedohen nga koleksionistë të ndryshëm, të cilët me pasionin e tyre kanë arritur të ruajnë ndër vite, por edhe dekada makina të tilla unike në llojin e tyre.
Statusi "Retro" nënkupton regjistrimin e tyre zyrtar nga institucionet si automjet i dalë nga qarkullimi dhe i ruajtur për qëllime koleksioni dhe gjithashtu që mbart vlera historike. Pjesë e "Retros" sot janë të pasionuarit, restauruesit, koleksionuesit e ciklomotorave dhe automjeteve të hershme, që gjithashtu ngjallin edhe kureshtjen e njerëzve.
Në mesin e koleksionistëve të automjeteve të vjetra dhe me vlera historike është edhe Ervin Kaftira në Tiranë, i cili aktualisht zotëron disa mjeta të tilla që pasurojnë koleksionin "Retro" në Shqipëri.
Në një deklaratë për Anadolu Agency (AA), Kaftira tregon se ai ka rreth 22 vite që koleksion mjetet e vjetra, përfshirë makina dhe motorë të markave dhe viteve të ndryshme të prodhimit.
Ndër mjetet e rralla që posedon Kaftira janë Mercedes-Benz B6 Gazelle (Modeli i vitit 1929, riprodhuar më 1974), Citroen 11BL me vitin e prodhimit 1948, Volkswagen Beetle 1152 Cabriole me vitin e prodhimit 1968, Volkswagen Beetle me vitin e prodhimit 1975, Volkswagen 621 Beetle me vitin i prodhimit 1976, Mercedes-Benz SSK, me vitin e i prodhimit 1980 dhe mjete të tjera me vlera historike.
"Këto makina janë pasion që i vogël. Jam djalë shoferi dhe jam rritur me makinat nëpërmjet profesionit të babait tim. Kam gati 22 vjet që kam filluar një nga një duke i blerë të dëmtuara, të ndryshkura, jo në gjendje pune. Janë rregulluar, u janë bërë rikonstruksion dhe janë vënë në gjendje pune. Janë bërë të udhëtojnë, shërbejnë për evenimente, për festa dhe për klipe të ndryshme", tregon ai.
Kaftira shprehet se për automjetet e tij, njerëzit apo institucionet shfaqin interes si për t’i shikuar nga afër ashtu edhe për t’i përdorur për evente apo ceremoni të ndryshme.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë, janë rreth 330 mjete qe kanë marrë statusin "Retro", duke u targuar me këtë status, përfshirë makina dhe motorë. Gjithashtu janë identifikuar dhe verifikuar rreth 500 mjete të tjera, që janë vlerësuar nga ky institucion si mjete që kanë vlera historike dhe që nuk janë në qarkullim.
Që një automjet të fitojë statusin "Retro" duhet të jetë i prodhuar të paktën përpara 30 vitesh, të jetë i përfshirë në listën e miratuar të institucioneve të mjeteve historike, të jetë i ruajtur apo i restauruar në formën e tij origjinale, të mos përdoret për qarkullim të përditshëm, të mos jetë më në prodhim, si dhe kritere të tjera.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.