Reshjet e dendura shkaktojnë përmbytje në Kërçovë, banorët strehohen në palestër
Kreu i komunës Jovanovski theksoi se problemi i përmbytjeve lidhet me derdhjen e shtratit të lumit si pasojë e mos pastrimit për vite me radhë
Shkup
Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytje në Kërçovë dhe zonat përreth, uji i të cilave ka përfshirë bodrume, sipërfaqe banimi dhe toka bujësore, si dhe ka detyruar disa banorë të largohen përkohësisht nga shtëpitë e tyre, transmeton Anadolu.
Kryetari i Komunës së Kërçovës, Aleksandar Jovanovski, tha se autoritetet lokale po e monitorojnë nga afër situatën e krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe përmbytjet. Ai theksoi se prioritet kryesor mbetet shëndeti dhe siguria e qytetarëve.
Jovanovski njoftoi se banorët e prekur janë strehuar përkohësisht në palestrën sportive të qytetit, e cila sipas tij ka ngrohje adekuate dhe ushqimi po shpërndahet pa ndërprerje përmes autoriteteve komunale në koordinim me Kryqin e Kuq.
Ai po ashtu bëri të ditur se autoritetet kanë vendosur të kryejnë dezinfektim të rregullt për të parandaluar rrezikun e infeksioneve, ndërsa ekipe mjekësore nga Spitali i Përgjithshëm i Kërçovës do të realizojnë kontrolle shëndetësore dy herë në ditë për personat e strehuar.
Jovanovski theksoi se problemi i përmbytjeve lidhet me derdhjen e shtratit të lumit si pasojë e mos pastrimit për vite me radhë. Ai shtoi se sapo të krijohen kushte të sigurta do të angazhohen makineri për pastrimin e shtratit dhe ndërtimin e një argjinature, si dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme.
Ai po ashtu bëri thirrje për qetësi, solidaritet dhe përgjegjësi, duke shtuar se ndihmat dhe donacionet do të shpërndahen në mënyrë transparente dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e prekur.
Reshje të dendura të shiut kanë përfshirë Maqedoninë e Veriut këto dy ditë, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitjedheu dhe dëme infrastrukturore në disa rajone të vendit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
