BALLKANI

"Reforma në drejtësi në Shqipëri, një nga hapat më domethënës në luftën kundër korrupsionit"

Në Tiranë u mbajt konferenca me temë "Shërbimet e inspektimeve të drejtësisë dhe sfidat e integrimit", ndërkohë kishte në fokus sfidat që lidhen me integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe rolin e tyre

Fatjon Cuka  | 25.09.2025 - Përdıtësım : 25.09.2025
"Reforma në drejtësi në Shqipëri, një nga hapat më domethënës në luftën kundër korrupsionit" Foto: Olsi Shehu/AA

Tiranë

Në Tiranë është mbajtur konferenca rajonale me temë "Shërbimet e inspektimeve të drejtësisë dhe sfidat e integrimit", me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve të sistemit të drejtësisë nga vendet e Ballkanit, raporton Anadolu.

Konferenca u organizua nga Misioni i OSBE-së në Shqipëri dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Shqipërisë, ndërkohë kishte në fokus sfidat që lidhen me integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe rolin e tyre në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë i Shqipërisë, Artur Metani, në fjalën e tij në hapje të konferencës u shpreh se konferenca është konceptuar si takim profesionistësh që sipas tij ndajnë përvoja, trajtojnë sfida dhe diskutojnë rolin e tyre në procesin e integrimit në BE.

"Besojmë se ndajmë të njëjtin qëndrim se pavarësisht dallimeve diçka na bashkon, që është interesi për miradministrimin e drejtësisë, për integritetin, pavarësinë, llogaridhënien e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pra një sistem eficent drejtësie që ka besimin e publikut. Institucione si këto që ne përfaqësojmë kanë rol kryesor në këtë proces", tha Metani.

Ai u shpreh se forcimi i shtetit të së drejtës si gur themeli në një shoqëri demokratike është prioritet i përbashkët.

- Përfaqësuesi i OSBE-së: Reforma në drejtësi në Shqipëri, një nga hapat më domethënës në luftën kundër korrupsionit

Mauro Puzzo, drejtues i Departamentit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për Shtetin e së Drejtës dhe të Drejtat e Njeriut theksoi se kjo konferencë ofron një mundësi të paçmuar për t'u angazhuar në diskutime kuptimplota, sipas tij, mbi një temë me rëndësi të thellë, si integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

"Viti i ardhshëm shënon 10-vjetorin e reformës në drejtësi të vitit 2016 në Tiranë (Shqipëri), që ishte një nga hapat më domethënës në luftën kundër korrupsionit. Kjo reformë synonte forcimin e mekanizmit të integritetit dhe institucioneve të pavarura, shpalljen e llogaridhënies dhe paanshmërisë brenda gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe rritjen e interesit publik dhe besimit publik në sistemin e drejtësisë", tha Puzzo.

Ai shtoi se reforma në drejtësi dhe procesi i reformës në përgjithësi, nuk është një arritje e njëhershme, por sipas tij është një përpjekje afatgjatë që duhet të mbështetet dhe të vazhdojë.

Sipas organizatorëve, përfaqësues të institucioneve të drejtësisë nga i gjithë rajoni janë mbledhur në këtë konferencë për të shkëmbyer përvoja dhe për të trajtuar sfidat që lidhen me integritetin dhe për të diskutuar rolin e tyre në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın