BALLKANI

Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë do të mbahet më 23 maj

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë u diskutua për procesin e zgjedhjes së presidentit të Shqipërisë dhe u vendos data për raundin e dytë

Fatjon Cuka  | 17.05.2022 - Përdıtësım : 18.05.2022
Raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë do të mbahet më 23 maj Foto: Olsi Shehu / AA

Tiranë

Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur që raundi i dytë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit të mbahet më 23 maj, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë u diskutua për procesin e zgjedhjes së presidentit të Shqipërisë dhe u vendos data për raundin e dytë, ndërkohë që kandidaturat mund të dorëzohen deri më datë 22 maj.

Gjatë mbledhjes së drejtuar nga kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, drejtuesit e grupeve parlamentare, si dhe drejtuesit e komisioneve parlamentare diskutuan rreth procesit në fjalë, ndërsa në fund të mbledhjes u votua për datën e raundit të dytë për zgjedhjen e presidentit.

Kryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, ftoi përfaqësuesit e partive opozitare që të vazhdojnë negociatat në lidhje me kandidaturat për postin e presidentit të Shqipërisë.

Kujtojmë se raundi i parë për zgjedhjen e presidentit u ezaurua më 16 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura.

Procesi në Kuvendin e Shqipërisë për zgjedhjen e presidentit të vendit

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.

Për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime (raunde). Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë.

Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.

Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet dhe zhvillohen zgjedhjet e reja të përgjithshme, brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

Presidenti aktual Ilir Meta është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 në postin e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar, ndërkohë mandati i tij sipas Kushtetutës përfundon në korrik të vitit 2022.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.