BALLKANI

Raporti i "Reporterëve pa Kufij": Kosova shënon rënie të madhe në lirinë e shtypit

Nga vendi i 75-të, ku ishte vitin e kaluar, në renditjen e re të Indeksit Vjetor të Lirisë së Shtypit, Kosova tani është radhitur e 99-ta

Agim Sulaj  | 02.05.2025 - Përdıtësım : 02.05.2025
Raporti i "Reporterëve pa Kufij": Kosova shënon rënie të madhe në lirinë e shtypit

Prishtinë

Kosova ka shënuar rënie të madhe në lirinë e shtypit, sipas raportit më të ri të "Reporterëve pa Kufij" (RSF), transmeton Anadolu.

Nga vendi i 75-të, ku ishte vitin e kaluar, në renditjen e re të Indeksit Vjetor të Lirisë së Shtypit, Kosova tani është radhitur e 99-ta, nga gjithsej 180 shtete të përfshira në matjen e kësaj organizate.

Raporti vë në pah se gazetarët në Kosovë janë shënjestër e vazhdueshme e sulmeve politike dhe quhen pa të drejtë "bashkëpunëtorë të armikut". Gjithashtu, kritikohet miratimi i Ligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), që e politizonte këtë organ të pavarur.

"Para zgjedhjeve 2025, disa media private u targetuan për t'u bojkotuar nga qeveria, e cila gjithashtu e kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik, RTK. Edhe pse gazetarët gëzojnë besimin e shoqërisë, mediet e pavarura dhe gazetarët hulumtues janë target shumë shpesh i fyerjeve dhe lajmeve të rrejshme në mediat sociale. Ata akuzohen pa të drejtë si 'bashkëpunëtorë të armikut', retorikë e përdorur nga grupet politike dhe religjioze", thotë raporti në pjesën kryesore.

Gjithashtu në raport përmendet edhe shtimi i padive SLAPP kundër gazetarëve, vështirësitë për qasje në dokumente publike, vëzhgimi i gazetarëve dhe kërcënimet për sigurinë e tyre fizike.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e ka konsideruar këtë rënie si alarmante për lirinë e shtypit në Kosovë.

"AGK-ja është thellësisht e shqetësuar me këtë renditje, më e ulta për një dekadë, që prej vitit 2015", thuhet në reagimin e AGK-së, e cila thotë se rezultati është si pasojë e një politike të vazhdueshme aktive armiqësore ndaj mediave në dy vitet e fundit nga ana e Qeverisë.

AGK-ja i ka ftuar aktorët institucionalë dhe ata të shoqërisë civile për punë të përbashkët, përfshirë hartimin e një ligji të ri të KPM-së, në mënyrë që vendi "të përmirësojë renditjen katastrofale në indeksin e lirisë së mediave".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.