BALLKANI

Raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut i dorëzohet kryeparlamentarit Gashi nga ambasadori i BE-së në Shkup

Siç njofton kabineti i kryeparlamentarit Gashi, në takim ishin të ftuar nënkryetarët, koordinatorët e grupeve parlamentare, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit dhe kabineti i kryetarit të Kuvendit

Abdulbesar Ademi  | 04.11.2025 - Përdıtësım : 04.11.2025
Raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut i dorëzohet kryeparlamentarit Gashi nga ambasadori i BE-së në Shkup Burimi: Kuvendi i RMV-së

Shkup

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, Michalis Rokas, ia ka dorëzuar kryeparlamentarit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, raportin e progresit për vendin nga Komisioni Evropian, transmeton Anadolu.

Siç njofton kabineti i kryeparlamentarit Gashi, në takim ishin të ftuar nënkryetarët, koordinatorët e grupeve parlamentare, sekretari i përgjithshëm i Kuvendit dhe kabineti i kryetarit të Kuvendit.

Sot, Komisioni Evropian miratoi pakon vjetore të zgjerimit, duke paraqitur një vlerësim gjithëpërfshirës të progresit të bërë nga partnerët e zgjerimit të bllokut evropian gjatë 12 muajve të fundit

Delegacioni i BE-së në Shkup në një deklaratë bazuar në raportin e progresit për vendin tha se Maqedonia e Veriut vazhdoi punën në udhërrëfyesit për sundimin e ligjit, reformën e administratës publike dhe funksionimin e institucioneve demokratike, si dhe në planin e veprimit për mbrojtjen e pakicave.

"Nevojiten veprime të mëtejshme të shpejta dhe vendimtare mbi kriteret e hapjes, në përputhje me kornizën negociuese, me qëllim hapjen e grup-kapitullit të parë sa më parë dhe kur të përmbushen kushtet përkatëse", thekson raporti.

Më tej, thuhet se Maqedonia e Veriut duhet të intensifikojë përpjekjet për të mbështetur sundimin e ligjit, duke mbrojtur pavarësinë dhe integritetin gjyqësor, dhe duke forcuar luftën kundër korrupsionit.

"Vendi gjithashtu duhet të miratojë ndryshimet e nevojshme kushtetuese me qëllim përfshirjen në Kushtetutë të qytetarëve që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e popujve të tjerë, siç janë bullgarët, siç përshkruhet në konkluzat e Këshillit të korrikut të vitit 2022, të cilat vendi u zotua t'i nisë dhe t'i arrijë", theksohet në raport.

Maqedonia e Veriut në vitin 2005 fitoi statusin e "endit kandidat. Pasi të bëjë ndryshimet kushtetuese që rrjedhin nga protokolli bilateral i nënshkruar me Bullgarinë, pritet të fillojë të hapë kapitujt për anëtarësim në BE.

Propozimi për fillimin e ndryshimeve kushtetuese, për të cilën nevojitet mbështet nga një shumicë prej dy të tretave apo 80 ligjvënës, parashikon ndryshime në Preambulën e Kushtetutës, si dhe përmendjen e popullit bullgar, popullit kroat, popullit malazez, popullit slloven, popullit hebre dhe popullit egjiptian.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.