Raport: Viti 2024 ishte pozitiv për ekonominë shqiptare
"Ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me ritme të qëndrueshme gjatë viteve në vazhdim, e nxitur nga zgjerimi i konsumit, i investimeve dhe i eksportit të shërbimeve", thuhet në raportin e prezantuar nga Banka Qendrore e Shqipërisë

Tiranë
Banka Qendrore e Shqipërisë ka prezantuar sot Raportin e Politikës Monetare, ku theksohet se viti 2024 ishte një vit pozitiv për ekonominë shqiptare dhe se vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, raporton Anadolu.
Raporti thekson se megjithëse ambienti i huaj karakterizohet nga pasiguri të shumta, pritjet për të ardhmen mbeten pozitive.
"Ekonomia shqiptare parashikohet të rritet me ritme të qëndrueshme gjatë viteve në vazhdim, e nxitur nga zgjerimi i konsumit, i investimeve dhe i eksportit të shërbimeve. Rritja e kërkesës për mallra e shërbime do të shoqërohet me krijim të vendeve të reja të punës", thuhet në raport.
Sipas raportit, ekonomia shqiptare e mbylli vitin 2024 me tregues të përmirësuar ekonomikë e financiarë.
"Perspektiva ekonomike është pozitive. Aktiviteti ekonomik pritet të rritet në përputhje me potencialin e tij gjatë dy viteve të ardhshme, ndërsa inflacioni parashikohet të kthehet në objektivin 3 për qind gjatë vitit 2025", theksohet ndër të tjera në raport.
Gjithashtu theksohet se vendimet e ardhshme të politikës monetare do të jenë në përmbushje të objektivit të arritjes së stabilitetit të çmimeve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.