BALLKANI

Rama: Shqipëria nuk është përballë ngadalësimit të procesit integrues drejt BE-së

"Dua të them se ne jemi në një moment ku për herë të parë në histori, fati po u buzëqesh shqiptarëve dhe Shqipërisë. Nuk ka asnjë ngadalësim të procesit të integrimit", tha kryeministri Rama

Agim Sulaj  | 02.04.2026 - Përdıtësım : 02.04.2026
Rama: Shqipëria nuk është përballë ngadalësimit të procesit integrues drejt BE-së

Prishtinë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se Shqipëria nuk është përballë kushteve të ngadalësimit të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian (BE), por përkundrazi, është në një moment historik ku fati po i buzëqesh shqiptarëve dhe Shqipërisë, transmeton Anadolu.

Kryeministri Rama gjatë një bashkëbisedimi me studentë të rinj mbi ecurinë e negociatave të Shqipërisë për anëtarësim në BE, theksoi se shumë prej informacionit që qarkullon në pasqyrat mediatike shpesh është i pasaktë, duke penalizuar cilësinë e informimit publik.

"Bota është bërë shumë e shpejtë, koha e informacionit është ritmike dhe përpjekja për të marrë vëmendje është frenetike, saqë shpesh nuk ka kohë për të verifikuar gjërat që thuhen. Dua të them se ne jemi në një moment ku për herë të parë në histori, fati po u buzëqesh shqiptarëve dhe Shqipërisë. Nuk ka asnjë ngadalësim të procesit të integrimit", tha Rama.

Ai solli edhe një shembull për të shpjeguar se si funksionon procesi i integrimit, duke theksuar se raportet kalojnë përmes dy niveleve: Komisionit Evropian, i cili është një strukturë objektive që jep detyrat për vendet kandidate dhe Këshillit Evropian, ku udhëheqësit e 27 vendeve anëtare vendosin me konsensus mbi hapjen e negociatave.

Rama tha se procesi i integrimit nuk është ngadalësuar dhe dera është hapur, duke shtuar se është përgjegjësi e institucioneve dhe qytetarëve që të mos lejojnë mbylljen e saj.

"Pyetja që duhet t'i bëjmë vetes është sa kohë kemi? Dera është hapur dhe mund të mbyllet. E rëndësishme është që ne të mos bëhemi sebep që të mbyllet. Duhet të bëjmë maksimumin në këto vite që kemi përpara ku duket që dera është qartësisht dhe plotësisht e hapur", shtoi Rama.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın