BALLKANI

Rama: Shqipëria, një nga aleatët më aktivë të Britanisë në kontrollin më të gjerë të emigracionit në Ballkan

Në një reagim mbi deklaratat e sekretares britanike Mahmood për "familjet shqiptare në Britani", Rama ka deklaruar se Shqipëria është një nga aleatët më aktivë të Mbretërisë së Bashkuar në kontrollin më të gjerë të emigracionit në Ballkan

Fatjon Cuka  | 19.11.2025 - Përdıtësım : 19.11.2025
Rama: Shqipëria, një nga aleatët më aktivë të Britanisë në kontrollin më të gjerë të emigracionit në Ballkan Foto: Arkiv / AA

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka konsideruar si mjaft zhgënjyese deklaratat e sekretares britanike për Punët e Brendshme, Shabana Mahmood, mbi "familjet shqiptare në Britani", transmeton Anadolu.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama ka deklaruar se Shqipëria është dhe do të mbetet një nga aleatët më aktivë të Mbretërisë së Bashkuar në kontrollin më të gjerë të emigracionit në Ballkan.

"Mjaft zhgënjyese të dëgjosh ministren (sekretaren) e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar Shabana Mahmood të përmendë 'rreth 700 familje shqiptare' që jetojnë në akomodim të financuar nga taksat pas kërkesave të dështuara për azil si justifikim për rinisjen e kthimeve familjare. Si mundet një ministre e Brendshme Laburiste të përsërisë kaq keq retorikën e ekstremit të djathtë populist dhe të veçojë 700 familje shqiptare një pikë statistikore në oqeanin e sfidave të Britanisë post Brexit pikërisht në momentin kur Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria kanë ndërtuar një nga partneritetet më të suksesshme në Evropë për emigracionin e paligjshëm", ka shkruar Rama.

Rama ka theksuar se i kujton sekretares Mahmood se falë punës së përbashkët intensive që nga fundi i vitit 2022 mbërritjet e parregullta nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar pothuajse janë zhdukur dhe sipas tij kontrolli i emigracionit ka funksionuar.

"Ndërkohë, kufizimet e lëvizjes dhe të vizave nga pala britanike mbeten një relike dështimi e epokës (Suella) Braverman që dëmton si lirinë themelore të lëvizjes së njerëzve ashtu edhe ekonominë britanike. Të jemi të qartë, shqiptarët janë kontribuues neto në ekonominë britanike dhe numri i shqiptarëve që marrin përfitime në Mbretërinë e Bashkuar është shumë i ulët krahasuar me komunitete të tjera. T'i veçosh ata në mënyrë të vazhdueshme nuk është politikë është një akt shqetësues dhe i pahijshëm demagogjie", ka shkruar Rama.

Ai ka shtuar më tej se Mbretëria e Bashkuar duhet të kërkojë mënyra për të thelluar bashkëpunimin me Shqipërinë në të gjitha çështjet e sigurisë nga mbrojtja te kontrolli kufitar, dhe sipas tij jo të fajësojë vazhdimisht shqiptarët "duke i ekspozuar qytetarët e një vendi aleat ndaj rreziqeve të shtuara përfshirë nga grupet ekstremiste që ushqehen nga narrativa të tilla".

Kryeministri Rama gjithashtu ka theksuar se politika zyrtare nuk duhet të udhëhiqet kurrë nga stereotipizimi etnik, duke shtuar se ky është minimumi që njerëzimi pret nga Britania e Madhe.

Sekretarja britanike për Punët e Brendshme, Shabana Mahmood ka deklaruar se 700 familje shqiptare së bashku me fëmijë, të cilave u është refuzuar azili, po strehohen në Britani dhe sipas saj qëndrimi i tyre po financohet nga taksat e qytetarëve britanikë.

Deklaratat e zyrtares së lartë britanike janë bërë gjatë prezantimit të planit të ristrukturimit të sistemit të azilit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın