Rama: Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen në forcën e stabilizimit me trupat e saj në Gaza
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka marrë pjesë në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes në Washington D.C, që filloi me fjalën mirëseardhëse të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump
Tiranë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen në forcën e stabilizimit me trupat e saj në Gaza, raporton Anadolu.
Rama ka marrë pjesë në mbledhjen inauguruese të Bordit të Paqes në Washington, që filloi me fjalën mirëseardhëse të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
“Shumë thonë se Bordi i Paqes synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara por mua nuk më duket si një përpjekje për të zëvendësuar OKB-në, por nëse ndihmon ta shkundë atë gjigand në agoni dhe dashtë Zoti, ta zgjojë, atëherë, Zoti e bekoftë Bordin e Paqes”, tha Rama.
Rama theksoi se: “Ne përgëzojmë rolin tuaj(të Trumpit) vendimtar për të ndalur konfliktin pikëllues në Gazë dhe Shqipëria ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në forcën e stabilizimit me trupat e saj. Në të njëjtën kohë, propozoj që ky Bord të ftojë të gjitha vendet të kontribuojnë drejtpërdrejtë me ndërtimin e një objekti publik të dedikuar për fëmijët palestinezë”.
Kryeministri Rama tha ndër të tjera se udhëheqja e Presidentit Trump gjatë mandatit të tij të parë, e solli Kosovën dhe Serbinë më pranë se kurrë drejt një marrëveshjeje përfundimtare paqeje.
Duke folur edhe për çështjen e gjyqit në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rama tha: “Dhe në këtë moment ka vetëm disa muaj që qëndrojnë midis një njeriu, i cili u ngrit nga qëndresa ndaj spastrimit etnik për t’u shndërruar në një paqebërës dhe një rezultati shkatërrimtar nga një gjykatë që deri tani ka dështuar, në çdo hap t’u përmbahet standardeve të drejtësisë demokratike. Për hir të Zotit, z.President, le të bëjmë diçka përpara se siç thoni ju, gjëra shumë të këqija të mund të ndodhin sërish”.
Mbledhja inauguruese e Bordit të Paqes u mbajt me pjesëmarrjen e kryetarëve të shteteve, qeverive dhe përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë.
Më 22 janar Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar marrëveshjen për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bordin e Paqes.
