BALLKANI

Rama: Shqipëria dhe Turqia, dy duar që duartrokasin së bashku historinë e një miqësie dhe partneriteti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama iu drejtua me një video-mesazh Forumit të Investimeve Shqipëri-Turqi që po mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë

Fatjon Cuka  | 17.10.2025 - Përdıtësım : 17.10.2025
Rama: Shqipëria dhe Turqia, dy duar që duartrokasin së bashku historinë e një miqësie dhe partneriteti

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se sot Shqipëria dhe Turqia janë ato dy duar që duartrokasin së bashku historinë e një miqësie që nuk njeh kthesa dhe një partneriteti që forcohet çdo ditë, raporton Anadolu.

Rama iu drejtua me një video-mesazh Forumit të Investimeve Shqipëri-Turqi që po mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë.

"Një thënie e urtë e dy vendeve tona thotë: Duhen dy duar për të duartrokitur. Sot Shqipëria dhe Turqia janë ato dy duar që duartrokasin së bashku historinë e një miqësie që nuk njeh kthesa, e një partneriteti që forcohet çdo ditë dhe një horizonti që hapet gjithnjë e më gjerë përpara nesh", tha Rama.

Rama tha se 10 vite më parë, me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan vunë një objektiv të thjeshtë të dyfishonim shkëmbimet tregtare, duke shtuar. "Sot kemi shkuar përtej, nga 250 milionë euro në mbi 1 miliard vetëm në nëntë muajit e parë të këtij viti. Nga 300 sipërmarrje me kapital turk në mbi 1.000 mijë sot, nga disa qindra punonjës në 15 mijë të tillë që punojnë në sipërmarrjet turke në vendin tonë".

Kryeministri Rama tha se vetëm këtë vit, 300 mijë turistë nga Turqia zgjodhën Shqipërinë dhe kjo sipas tij është e jashtëzakonshme. Ai tha se Shqipëria është sot porta më e afërt e Turqisë drejt Bashkimit Evropian dhe shtoi se Shqipëria është sot një partner i qëndrueshëm në siguri, energji, në turizëm dhe në teknologji.

"Qeveria shqiptare më shumë sesa një qeveri mike e një vendi mik është një partnere strategjike e një vendi të lidhur në një aleancë strategjike me Turqinë. Shqipëria sot ka një qeveri që është gati të mikpresë, të dëgjojë, të ndihmojë dhe të garantojë çdo investim që të kthehet në një histori suksesi. Objektivi është që të ridyfishojmë shkëmbimet tona tregtare dhe nesër të ndërtojmë një autostradë suksesi midis Bosforit dhe Adriatikut, sepse kjo marrëdhënie nuk është thjesht ekonomi, kjo marrëdhënie është vëllazëri, është besim, është një bashkudhëtim drejt të ardhmes", tha Rama.

Ura që sot lidh Stambollin me Tiranën është më e fortë se kurrë, tha Rama, duke shtuar: "Ura që sot lidh Turqinë zyrtare, Ankaranë me Tiranën zyrtare është më e fortë se kurrë, një urë që bashkon dhe që e bën më të shpejtë dhe e bën më të lehtë lidhjen e Lindjes me Perëndimin përmes Korridorit të tetë".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın