Rama: Parashikojmë që Shqipëria të ulet rreth tryezës së BE-së në vitin 2030
Kryeministri Rama tha se në konsensus të plotë me Komisionin Evropian kanë rënë dakord mbi një kalendar, që sipas tij është mjaft ambicioz për të mbyllur bisedimet e anëtarësimit deri në vitin 2027
Tiranë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se parashikojnë që Shqipëria të ulet rreth tryezës së Bashkimit Evropian (BE) në vitin 2030, transmeton Anadolu.
Kryeministri Rama ishte pjesë e samitit mbi zgjerimin e BE-së, ku në fjalën e tij online tha se në konsensus të plotë me Komisionin Evropian kanë rënë dakord mbi një kalendar, që sipas tij është mjaft ambicioz për të mbyllur bisedimet e anëtarësimit deri në vitin 2027.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, Rama tha se i gjithë viti ka qenë tejet pozitiv, duke shtuar se "Brukseli ndryshoi qasjen e tij dhe u zgjua".
"Në konsensus të plotë me Komisionin kemi rënë dakord mbi një kalendar që është mjaft ambicioz, por i bëshëm, detyrash shtëpie për ne, për të mbyllur bisedimet e anëtarësimit, negociatat deri në 2027. Ka mundësi për t’u bërë edhe më shpejt në gjysmën e parë të 2027-tës, por le të themi në fund të 2027-tës. Pastaj koha mesatare që kemi vlerësuar kur vjen fjala për ratifikimin nga 27 parlamentet i vendimit është rreth 2 vjet dhe kështu parashikojmë që Shqipëria të ulet rreth tryezës së BE-së në 2030-tën. Po sigurisht nuk jemi aspak kundër të qenit atje dhe më shpejt", ka theksuar Rama.
Mbi proceset e integrimit në vendet e rajonit, Rama është shprehur se ka karakteristika të ndryshme në rajon dhe ka histori të ndryshme, duke shtuar se "kur vjen fjala tek ne mund ta them me zë të lartë që jemi kombi më euro-optimist në Evropë apo ashtu siç do të thoshte Donald Trump, në Tokë".
Ai shtoi se Shqipëria po bën diçka të paparë dhe unike në të gjithë rajonin, sipas tij në reformën e sistemit të drejtësisë.
Duke folur edhe për ministren virtuale për Inteligjencën Artificiale, Diella, Rama tha se brenda vitit 2027 synojnë të kenë sistemin e plotë, bazuar në inteligjencë artificiale të prokurimeve publike.
Samiti i mbajtur sot në Bruksel në fjalë bashkon liderët e vendeve anëtare dhe atyre kandidate të BE-së, si një platformë e re dialogu për të diskutuar mbi të ardhmen e procesit të integrimit evropian.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
