Rama për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Procesi nuk është demokratik, duhet rezolutë Shqipëri–Kosovë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka nënvizuar rëndësinë e daljes me një rezolutë të unifikuar të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, ku sipas tij të vihen në dukje të gjitha shkeljet e panumërta të standardeve demokratike të procesit.

Tiranë
Raportohet se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë nuk është demokratik, transmeton Anadolu.
Në një intervistë televizive, Rama u shpreh se në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, po ndodhin "shkelje shumë të rënda dhe të vazhdueshme të standardeve demokratike të procesit".
Raportohet se Kryeministri Rama ka nënvizuar rëndësinë e daljes me një rezolutë të unifikuar të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës, ku, sipas tij, të vihen në dukje të gjitha shkeljet e panumërta të standardeve demokratike të procesit.
Rama ka shtuar ndër të tjera se nuk ka vullnet në Kosovë për këtë rezolutë të përbashkët.
“Fola për mungesën e vullnetit për të marrë një hap qoftë edhe simbolik. Unë besoj se do të ishte një hap që do të kishte një jehonë të caktuar në rast se do të bashkoheshin të dy Kuvendet dhe në rast se ne do të ndërmerrnim një ofensivë diplomatike për ta çuar këtë qëndrim të unifikuar në të gjitha kancelaritë duke bashkëlidhur të gjitha shkeljet e panumërta të standardeve demokratike të procesit”, është shprehur Rama.
Gjithashtu, Rama ka theksuar se procesi ndaj ish-krerëve të UÇK-së nuk është demokratik që nga fillimi.
Gjykata Speciale me seli në Hagë u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar. Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së.