BALLKANI

Rama: Në kushtet e sotme jemi të paintegrueshëm në BE, për nivelin e pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore

Në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë që ai drejton, Partisë Socialiste, kryeministri Rama u ndal në procesin dhe kriteret e anëtarësimit të vendit në BE si dhe çështje të tjera

Fatjon Cuka  | 16.01.2026 - Përdıtësım : 16.01.2026
Rama: Në kushtet e sotme jemi të paintegrueshëm në BE, për nivelin e pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se në kushtet e sotme janë të paintegrueshëm në Bashkimin Evropian (BE), sipas tij, për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore sipas kritereve të BE-së, raporton Anadolu.

Në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë që ai drejton, Partisë Socialiste, Rama u ndal në procesin dhe kriteret e anëtarësimit të vendit në BE si dhe çështje të tjera.

Rama tha gjatë fjalës së tij se përmes skuadrës së negociatave, janë duke negociuar periudhat e ndërmjetme pas momentit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE që t'i japin mundësi vendit që të jetë i gatshëm sipas tij të "përmbushë të gjitha kriteret e të qenit bashkë në një familje të madhe siç është familja evropiane".

"Puna që kemi përpara këtë vit, është e një natyre shumë të veçantë për shkak të futjes së Shqipërisë në fazën më intensive të negociatave me BE-në dhe për shkak të domosdoshmërisë që në një hark kohor, relativisht shumë të shkurtër, prej vetëm 2 vjetësh, Shqipëria të përmbushë të gjitha kushtet për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit. Sikundër e kemi të qartë nga plani që kemi në tryezë i dakordësuar me Komisionin Evropian dhe sikundër e kemi bërë të qartë edhe për opinionin publik", është shprehur Rama.

Duke theksuar se kanë pasur deri më sot disa raste që në mënyrë të natyrshme procesi i diskutimeve dhe miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me anëtarësimin në BE është vonuar apo është marrë lehtë si një proces, ai tha se: "Ne nuk e kemi këtë liri, që të jemi shumë të qartë. Ne kemi lirinë që të negociojmë me BE, por nuk kemi lirinë që pasi negociojmë, të diskutojmë. Që do të thotë, negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizimin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit evropian, negociohet me Komisionit, i imponohet qeverisë dhe vjen në Parlament".

"Në kushtet e sotme ne jemi të paintegrueshëm në BE, për shkak të nivelit të pamjaftueshëm të sigurisë ushqimore sipas kritereve të BE dhe për këtë arsye, po përpiqemi të fitojmë një fazë të ndërmjetme prej 5 vjetësh pas anëtarësimit, por ama vitet kalojnë shpejt dhe përgatitjet duhet të fillojnë tani në vazhdën e të gjitha atyre arritjeve qe kemi pasur, po të kemi parasysh që kur ne e kemi marrë detyrën, rrugët e Shqipërisë ishin njëkohësisht edhe tregje ushqimore edhe thertore", tha ndër të tjera Rama.

Shqipëria është vend kandidat për anëtarësimin në BE që nga viti 2014 dhe synon të përfundojë negociatat deri në vitin 2027, ndërkohë synon anëtarësimin e plotë në BE deri në vitin 2030.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın