BALLKANI

Rama në 15-vjetorin e "21 janarit": Nevoja për drejtësinë e munguar për këtë tragjedi do të triumfojë

Kryeministri Rama së bashku me familjarët e personave që humbën jetën në protestën e 21 janarit 2011, që janë shpallur dëshmorë, bënë homazhe në vendin ku janë vendosur katër pllakata në nderim të tyre

Fatjon Cuka  | 21.01.2026 - Përdıtësım : 21.01.2026
Rama në 15-vjetorin e "21 janarit": Nevoja për drejtësinë e munguar për këtë tragjedi do të triumfojë Burimi: Kryeministria e Shqipërisë

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një aktivitet përkujtimor në 15-vjetorin e ngjarjeve që njihen si "21 janari", ka deklaruar se nevoja për drejtësinë e munguar për "këtë tragjedi të madhe do të triumfojë", raporton Anadolu.

Në një aktivitet në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë për ngjarjet e 21 janarit 2011 ku humbën jetën katër protestues, Rama tha se Gjykata e Strasburgut i nënvizoi shumë qartë si shkelje të Konventës Evropiane, sipas tij qoftë përdorimin e pajustifikuar të forcës vdekjeprurëse, qoftë mungesën e bazës legjitime për të mbrojtur zyrën e kryeministrit me forcë vdekjeprurëse, "duke kërkuar nga autoritetet të zbardhin ngjarjen".

"15 vjet më parë këtu në këtë godinë ishte barrikaduar një hordhi e armatosur, përzierje e trupës së rregullt të Gardës së Republikës dhe çetës së paramilitarëve famëkëqij të kryeministrit (ish-kryeministrit Sali Berisha). Protesta doli jashtë kontrollit, por përtej reagimit të turmës ndaj policisë dhe ca vatrave zjarri të ndezura në atë revoltë e sipër në atë kazan në ndonjë makinë apo mbi faqet e piramidës, për asnjë çast protestuesit nuk tentuan të kapërcejnë gardhin e godinës së Kryeministrisë", tha Rama.

Ai theksoi se nuk ka mjaftuar as "vendimi rrëqethës" i Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg më shumë sesa dy vjet më parë që prokurorët specialë "t'ia kishin kërkuar deri tani Gjykatës Speciale drejtësinë për 4 vrasjet shtetërore të 21 janarit".

"15 vite pa drejtësi për 21 janarin janë 15 vitet e një padrejtësie të madhe, jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar. Ndërsa për ju familjarët e dëshmorëve të 21 janarit, 15 vitet e këtij boshllëku të pangushëllueshëm janë sa një jetë e tërë e jetuar në ankth, dëshpërim dhe poshtërim. Di me siguri që ulërima e kësaj padrejtësie nuk do të shuhet asnjëherë dhe nevoja për drejtësinë e munguar për këtë tragjedi të madhe do triumfojë, me se s'bën", u shpreh ndër të tjera Rama.

Pas aktivitetit në Kryeministrinë e Shqipërisë, Rama së bashku me familjarët e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Aleks Nikës dhe Faik Myrtajt, që janë shpallur dëshmorë të Atdheut, vendosën lule dhe bënë homazhe, në vendin ku janë vendosur katër pllakata në nderim të tyre në bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë.

Më 21 janar të vitit 2011 gjatë një proteste antiqeveritare humbën jetën 3 protestues dhe një tjetër i palgosur ndërroi jetë disa ditë pas protestës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın