Rama: Ne do ta realizojmë Projektin “Auto Moto Park Albania”
“Auto Moto Park Albania”, krahas promovimit të kulturës së motorsportit dhe sigurisë rrugore, sipas autoriteteve shqiptare, do të kthehet në një destinacion tërheqës për garuesit e huaj dhe do të zhvillojë turizmin dhe ekonominë

Tiranë
Në Tiranë është organizuar eventi mbi Projektin “Auto Moto Park Albania”, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të Shqipërisë, ku janë prezantuar edhe projekt-idetë e kompanive ndërkombëtare të interesuara për zhvillimin e këtij projekti, raporton Anadolu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pranishëm në aktivitetin e organizuar nën kujdesin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor të Shqipërisë (DPSHTRR), e ka cilësuar këtë garë të kompanive si një event historik për automotorizmin shqiptar, por edhe për Shqipërinë.
Rama theksoi ky projekt i hap rrugë edhe një tjetër fronti të punësimit cilësor të të rinjve, sipas tij, vende pune të mirë-paguara dhe mundësi të reja dhe horizonte të reja për gjeneratën e re.
"Ne do ta realizojmë dhe po ashtu jam i bindur që, siç shumë gjëra deri dje në dukje të pamundura, tani janë në rrugën që po bëhen të mundura, edhe ajo çka do të dukej e pamundur deri më sot që në Shqipëri të kishim edhe një garë të Formula 1, e ardhmja do të tregojë se edhe kjo është e mundur", tha Rama.
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë, Belinda Balluku, theksoi se në “Auto Moto Park Albania” do të ketë edhe pjesë të cilat do t'i shërbejnë edukimit për sigurinë rrugore.
"Auto Moto Park nuk është thjesht një pistë prej 3,8 kilometrash, por është një kompleks i tërë ku do të zhvillohen aktivitete nga më të ndryshmet, ku qytetarët e Shqipërisë apo qytetarët e rajonit apo edhe ata të Evropës mund të vizitojnë çdo ditë muzeun Retro (Automjetet historike Retro) që do të jetë i vendosur aty. Ky është një element i rëndësishëm i automotorizimit shqiptar. Ky është kurorëzimi i një pune të palodhur që kemi bërë 4 vitet e fundit”, tha ajo.
Drejtor i Përgjithshëm i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja u shpreh se “Auto Moto Park Albania” nuk mund të konsiderohet vetëm si një pistë ku do të zhvillohen gara shpejtësie, por sipas tij edhe si një gjenerator ekonomik e si një motor i fuqishëm për turizmin, punësimin dhe tregun automotiv.
Gjatë konkursit të sotëm si pjesë e eventit, studiot ndërkombëtare të projektimit të strukturave të tilla, autorë të pistave të Formula 1 në botë, kanë prezantuar projekt-idetë e tyre, ku në përmbyllje do të shpallet projekti fitues për “Auto Moto Park Albania”.
Projekti synon krijimin e kompleksit të parë multifunksional për zhvillimin e sektorëve të ndryshëm të motorizimit.
Sipas autoriteteve shqiptare, “Auto Moto Park Albania” që do të zbatohet në Qarkun e Elbasanit, është një hap historik për zhvillimin e motorizimit shqiptar dhe që mbështetet nga Qeveria e Shqipërisë dhe institucione të tjera. Ky projekt krahas promovimit të kulturës së motorsportit dhe sigurisë rrugore, sipas autoriteteve, do të kthehet në një destinacion tërheqës për garuesit e huaj dhe do të zhvillojë turizmin dhe ekonominë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.