Bota, BALLKANI

Rama-Meloni për mbledhjen ndërqeveritare Shqipëri-Itali: Është një ditë historike

Pas mbledhjes së përbashkët qeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë, kryeministri Rama dhe kryeministrja Meloni, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke e konsideruar mbledhjen historike

Fatjon Cuka  | 13.11.2025 - Përdıtësım : 13.11.2025
Rama-Meloni për mbledhjen ndërqeveritare Shqipëri-Itali: Është një ditë historike Foto: Riccardo De Luca/AA

Tiranë

Në kryeqytetin e Italisë, Romë, sot është mbajtur mbledhja e përbashkët qeveritare mes Shqipërisë dhe Italisë, mbledhja e parë e përbashkët ndërqeveritare, raporton Anadolu.

Pas seancës plenare, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, mbajtën një konferencë të përbashkët për mediat, duke e konsideruar mbledhjen historike.

- Rama: Partneriteti strategjik mes dy vendeve shoqërohet nga "kantiere të mëdha"

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se sot janë në gjendje të projektojnë në disa drejtime për të fuqizuar aftësitë e mbrojtjes së Shqipërisë, por edhe aftësitë mbrojtëse të përbashkëta.

"Sot për ne është një ditë historike, sepse për herë të parë qeveria shqiptare ulet me qeverinë italiane për të folur për projekte të përbashkëta dhe për të folur për një të ardhme të përbashkët, por edhe për të bërë një bilanc të gjërave që janë bërë dhe për të firmosur marrëveshje konkrete dhe projekte konkrete", tha Rama.

Kryeministri Rama tha se partneriteti strategjik mes dy vendeve shoqërohet nga "kantiere të mëdha".

Duke folur për procesin e integrimit evropian, Rama tha se "ne jemi gati të bëjmë një marrëveshje me Bashkimin Evropian për të mos përdorur as veton dhe as votën dhe nuk kem asnjë mendje të vendosim veto".

- Meloni: Është një ditë historike që hap një fazë të re në marrëdhëniet tona dypalëshe

Kryeministrja Meloni theksoi se mbledhja e përbashkët qeveritare është një ditë historike që hap sipas saj një fazë të re në marrëdhëniet dypalëshe.

"Ne e dimë që marrëdhëniet mes Italisë dhe Shqipërisë janë marrëdhënie që le ta themi i kanë rrënjët shumë thellë, kanë qenë gjithmonë marrëdhënie të tilla konstante që shkojnë përtej interesave reciproke", tha Meloni.

Meloni u shpreh se Italia ka qenë dhe është një pikë referimi për Shqipërinë. "Ajo çka duam të bëjmë është që këtë marrëdhënie të jashtëzakonshme mes kombeve, vendeve tona, ta shndërrojmë në një mësim, në një thesar, për ta fuqizuar edhe më shumë këtë marrëdhënie. Kemi përcaktuar drejtimet ku do të vijojë bashkëpunimi ynë, në sektorë si energjia dhe transporti, duke u përqendruar sidomos tek Korridori 8", tha Meloni.

Ajo tha se përafrimi i brigjeve të Adriatikut dhe shndërrimi i Adriatikut në një korridor strategjik, siguron më shumë zhvillim për tërë Evropën.

Në kuadër të mbledhjes së parë ndërqeveritare mes dy vendeve, Shqipëria dhe Italia shkëmbyen disa marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi, në fushat e mbrojtjes, sigurisë kibernetike, mbrojtjes civile, kundër trafikut të drogës dhe fusha të tjera.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın