BALLKANI

Rama: Kemi interesat më të mëdha strategjike dhe detyrimin që të jemi promotorët më të vendosur të paqes

Në Tiranë ka filluar sot Konferenca treditore e ambasadorëve të Shqipërisë nëpër botë me temë “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, ku në hapje të saj ishin të pranishëm kryeministri Rama dhe zyrtarë të tjerë.

Fatjon Cuka  | 08.09.2025 - Përdıtësım : 08.09.2025
Rama: Kemi interesat më të mëdha strategjike dhe detyrimin që të jemi promotorët më të vendosur të paqes Foto: Kryeministria e Shqipërisë

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se sa i përket rajonit kanë interesat më të mëdha strategjike dhe detyrimin që të jenë promotorët më të vendosur të paqes dhe stabilitetit, raporton Anadolu.

Në Tiranë ka filluar sot Konferenca treditore e ambasadorëve të Shqipërisë nëpër botë me temë “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, ku në hapje të saj ishin të pranishëm kryeministri Rama dhe zyrtarë të tjerë.

Kryeministri Rama në fjalën e tij në hapje të konferencës tha se konferenca tradicionale e ambasadorëve këtë vit vjen në një moment historik për rrugëtimin e Shqipërisë, sipas tij, drejt majës së shumë ëndërruar të Bashkimit Evropian.

"Pa asnjë diskutim të gjitha forcat e shërbimit tonë diplomatik kudo nga Brukseli e në çdo kryeqytet tjetër duhet të fokusohen në radhë të parë te ky objektiv historik që tanimë është më afër se asnjëherë tjetër dhe që duhet përmbushur me përmbushjen me sukses të procesit të negociatave për anëtarësim, me ratifikimin me sukses të vendimit të anëtarësimit në 27 parlamente të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, tha Rama.

Ai theksoi se konferenca zhvillohet në një moment kur kreditet e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare janë më të larta se asnjëherë.

"Nga ana tjetër dua të vë theksin tek domosdoshmëria për ta forcuar më tej punën tonë si shërbimin diplomatik në rajon, në funksion të mbajtjes dhe rritjes së intensitetit të komunikimit jo thjeshtë me qeveritë, por me të gjithë aktorët dhe faktorët politikë, institucional apo shoqëror sepse për sa i përket rajonit ne kemi pa diskutim interesat më të mëdha strategjike dhe detyrimin që të jemi promotorët më të vendosur të paqes dhe stabilitetit në të gjithë këtë lagje të Evropës dhe në këtë aspekt është natyrisht me rëndësi të veçantë edhe mirëmbaja e marrëdhënieve me të gjithë faktorin shqiptar", tha Rama.

Rama u shpreh ndër të tjera së dëshiron të vë theksin sipas tij tek një moment absolutisht historik dhe shumë sfidues, që është ai i organizimit të samitit të NATO-s në Shqipëri në vitin 2027.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, u shpreh në fjalën e tij se integrimi evropian është busulla strategjike e Shqipërisë, duke shtuar se kanë zgjedhur qartë rrugën që të qëndrojnë sipas tij krah aleatëve euro-atlantikë.

"Sot siguria dhe stabiliteti global përballen me sprova. Agresioni rus në Ukrainë, dhuna e përshkallëzuar në Lindjen e Mesme, tensionet në Azi dhe Afrikë dhe krizat klimatike apo energjetike, nuk janë zhvillime të largëta. Çdo krizë globale prek drejtpërdrejt edhe Shqipërinë, ekonominë dhe sigurinë e qytetarëve tanë", tha Hasani.

Në konferencën që organizohet nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë marrin pjesë ambasadorë dhe konsuj të përgjithshëm të Shqipërisë nga mbarë bota.

Konferenca do të zhvillohet në formën e paneleve me pjesëmarrjen e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë. Diskutimet do të fokusohen në integrimin evropian të Shqipërisë dhe të rajonit, diplomacinë ekonomike, si edhe në çështjet e sigurisë rajonale e globale.

Sipas autoriteteve shqiptare, kjo konferencë është një pikëtakim i rëndësishëm i shërbimit të jashtëm për të përcaktuar prioritetet, për të adresuar sfidat kryesore dhe për të forcuar shërbimin konsullor për qytetarët shqiptarë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.