BALLKANI

Rama: Ftesa e Trumpit për Bordin e Paqes në Gaza do t'i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka përcjellë një letër presidentit të SHBA-së, Donald Trump lidhur me ftesën për përfaqësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën

Alban Agushi  | 20.01.2026 - Përdıtësım : 20.01.2026
Rama: Ftesa e Trumpit për Bordin e Paqes në Gaza do t'i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim

Tiranë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka përcjellë një letër presidentit të SHBA-së, Donald Trump lidhur me ftesën për përfaqësimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, transmeton Anadolu.

Në letrën e tij të publikuar në rrjetet sociale Rama shpreh vlerësimin e tij të thellë për angazhimin e fortë dhe udhëheqjen vizionare të Trumpit në themelimin e Bordit të Paqes.

Duke falënderuar për ftesën drejtuar personalisht ndaj tij dhe Republikës së Shqipërisë për të shërbyer si anëtare themeluese në Bordin e Paqes për Gazën, Rama deklaroi se "Së shpejti angazhimi ynë do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim".

Kryeministri Rama thekson se paqja duhet të formësohet aktivisht e jo të pritet pasivisht a diskutohet pafundësisht nëpër forume politike, teksa përreth globit jetë të pafajshme humbasin kotësisht çdo minutë.

"Duket qartë se për të qenë një organizatë e re ndërkombëtare, Bordi i Paqes nuk është konceptuar si një forum tjetër deklaratash, procedurash dhe përgjegjësish të shtyra në kohë, por si një instrument i përqëndruar dhe qëllimplotë i udhëheqjes dhe përgjegjësisë globale", thekson ai.

"Kur filtrohet pafundësisht përmes shtresave të procedurave, paqja shumë shpesh mbërrin tepër vonë. Kjo nismë mishëron me plot të drejtë kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes", shtoi ai.

Kryeministri Rama në letrën e tij shpreh gatishmëri të plotë për të kontribuar në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t'u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.

"Republika e Shqipërisë ka qenë prej kohësh një aleate e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e lidhur nga vlera të përbashkëta, respekt i ndërsjellë dhe një përkushtim i përbashkët ndaj lirisë, demokracisë dhe sigurisë ndërkombëtare", potencoi ai.

Pasi vë në dukje frymën e qëndrueshme të partneriteti, Rama rithekson se Republika e Shqipërisë qëndron me vendosmëri përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në të gjitha përpjekjet për promovimin e paqes, sigurisë dhe angazhimit konstruktiv global.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.