Rama: Do të shpallim Iranin shtet sponsor të terrorizmit, IRGC-në dhe Hezbollahun organizata terroriste
Në një konferencë për mediat nga selia e Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama foli për disa çështja, përfshirë edhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe masat e Shqipërisë
Tiranë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria do të shpallë Iranin shtet sponsor të terrorizmit dhe Gardën Revolucionare të Iranit (IRGC) dhe Hezbollahun organizata terroriste, raporton Anadolu.
Në një konferencë për mediat nga selia e Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama foli për disa çështja, përfshirë edhe zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe masat e Shqipërisë.
Kryeministri Rama theksoi se Parlamenti i Shqipërisë do të ftohet që të votojë një rezolutë për ta shpallur Iranin shtet sponsor të terrorizmit.
"Në javën që vjen parlamenti i Shqipërisë do të ftohet të votojë një rezolutë për ta shpallur Republikën Khomeiniste të Iranit, unë me gojë nuk e them dot islamike sepse ajo republikë nuk ka asnjë lidhje me Islamin, sipas asaj që unë di dhe sipas asaj që unë çmoj tek Islami, shtet sponsor të terrorizmit dhe bashkë me këtë do të shpallet organizatë terroriste Garda Republikane e Iranit (Garda Revolucionare e Iranit - IRGC)) dhe Hezbollahu, që të dyja", u shpreh Rama.
Ai theksoi se në këto hapa nuk janë pionierët sepse sipas tij ka "pasur më parë edhe partnerë, aleatë dhe miq që i kanë hedhur, por është koha që ta bëjmë dhe ne këtë gjë".
"Nga ana tjetër kriza (në Lindjen e Mesme) po shfaqet në të gjithë botën, po shfaqet edhe këtu, si rezultat i rritjes së çmimit të naftës", ka theksuar Rama.
Edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha konfirmoi disa ditë më parë se Tirana së shpejti do të marrë vendimin zyrtar për ta shpallur Gardën Revolucionare të Iranit (IRGC) organizatë terroriste.
