BALLKANI

Rajoni përgatitet për festën e Kurban Bajramit

Anadolu Agency (AA) ka përpiluar informacione rreth përgatitjeve të festës së Kurban Bajramit në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë

Abdula Berisha, Fatjon Cuka, Agim Sulaj  | 19.07.2021 - Përdıtësım : 20.07.2021
Rajoni përgatitet për festën e Kurban Bajramit Foto: Abdula Berisha / AA

Shkup / Tiranë / Prishtinë

Besimtarët muslimanë në vendet e rajonit vijojnë me përgatitjet e fundit për festimin e festës së Kurban Bajramit.

Anadolu Agency (AA) ka përpiluar informacione rreth përgatitjeve të festës së Kurban Bajramit në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë.

Maqedoni e Veriut

Në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup, besimtarët muslimanë të cilët kanë mundësi të therin kurban me rastin e Kurban Bajramit, vizituan tregun e bagëtive në periferi të qytetit.

Shitësit e kurbaneve, duke mos dashur të prononcohen para kamerës, thanë se këtë vit autoritetet nuk kanë lejuar shitblerjen në lokacionet tradicionale brenda qytetit, ndërsa u ankuan për kushtet e pafavorshme në tregun e bagëtive. Sipas tyre, kjo ka ndikuar paksa në uljen e interesimit.

Sivjet, çmimi i kafshëve të vogla është 120 deri në 300 euro, ndërsa kafshët e mëdha shiten nga 700 deri në 1.200 euro.

Ndërkohë, nga Ndërmarrja Publike "Higjiena Komunale-Shkup" kanë bërë të ditur se edhe sivjet, në vendbanimet ku festohet Kurban Bajrami, janë vendosur kontejnerë të posaçëm ku besimtarët muslimanë do të mund të hedhin mbetjet e kurbanëve.

Shqipëri

Besimtarët muslimanë në Shqipëri vazhdojnë përgatitjet për pritjen e festës së Kurban Bajramit, duke u kujdesuar për kurbanin, por edhe për blerjen e produkteve të ndryshme.

Në prag të festës, tregu i bagëtive i Qarkut të Tiranës frekuentohet më shumë, ndërsa besimtarët blejnë kafshët për kurbane për familjen e tyre, por edhe për të ndihmuar familjet në nevojë.

Prej disa ditësh vazhdojnë përgatitjet për blerjen e kurbanit, ndërkohë çmimi i përcaktuar i kurbanit për këtë vit është 130 euro për bagëtitë e imëta, njëjtë sa viti i kaluar.

Nga ana tjetër, tregu "Pazari i Ri" në Tiranë në prag të Kurban Bajramit është më i frekuentuar nga qytetarët, të cilët blejnë produktet nga më të ndryshmet, nga ato tradicionale, por edhe të tjera.

Ndërkohë, programi qendror për faljen e namazit të Kurban Bajramit në Shqipëri do mbahet në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë.

Kosovë

Qytetarët në të gjitha vendet e Kosovës po bëjnë përgatitjet e fundit para festës së Kurban Bajramit.

Ardhja e një pjese të madhe të mërgimtarëve në vend, moti me shi dhe nevoja për t’i blerë gjërat e nevojshme për këtë festë ka shkaktuar fluks dukshëm më të madh nëpër rrugët e Kosovës në prag të festës, sidomos në kryeqytet, Prishtinë.

Në tregun e bagëtive në lagjen "Vranjevc" të Prishtinës, interesimi i qytetarëve për të blerë kurban, sipas tregtarëve, gjatë këtij viti krahasuar me vitin e kaluar, ka qenë më i madh.

Kjo si pasojë se gjatë vitit të kaluar, kishte masave të vendosura të cilat përfshinin edhe kufizime për prerjet e kafshëve, për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).

Çmimet për një dele në këtë treg varijojnë nga 120 euro deri në 250 euro, ndërsa më së shpeshti blihen delet me çmimet më të ulëta dhe ato mesatare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.