Qytetarët e Shkupit dalin në protestë në mbrojtje të shëndetit dhe mjedisit
Me mesazhe të tilla “Fitim për ta, sëmundje për ne”, “Ne thithim helm” dhe “Ajri nuk është luks, është e drejtë”, pjesëmarrësit thanë se interesat ekonomike nuk duhet të jenë më të rëndësishme se shëndeti i njerëzve
Shkup
Qytetarët e Shkupit kanë dalë në rrugë në një marshim të organizuar nga iniciativa qytetare “Stop për Çimentoren Usje”, duke kërkuar mbrojtjen e shëndetit dhe mjedisit nga ndotja e ajrit, raporton Anadolu.
Marshimi filloi para godinës së qeverisë, pas çka pjesëmarrësit vazhduan drejt shtëpisë ligjvënëse dhe përfunduan protestën në mënyrë paqësore para Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ku përsëritën kërkesat e tyre për veprime urgjente dhe kontroll më të madh mbi ndotësit.
Me mesazhe të tilla “Fitim për ta, sëmundje për ne”, “Ne thithim helm” dhe “Ajri nuk është luks, është e drejtë”, pjesëmarrësit thanë se interesat ekonomike nuk duhet të jenë më të rëndësishme se shëndeti i njerëzve.
Aleksandar Todeski, një aktivist nga iniciativa “Stop për Çimentoren Usje”, tha se institucionet e kanë për detyrë të veprojnë në interes të qytetarëve dhe se çështjet që lidhen me ndotjen dhe mbrojtjen e shëndetit publik kërkojnë masa urgjente dhe specifike.
“Protestat do të vazhdojnë. Është e rëndësishme që qytetarët të dalin (në protestë) dhe ky numër i qytetarëve është dëshmi e mjaftueshme se duhet tashmë të trajtohen gjërat që të gjithë të thithim ajër të pastër”, tha Todeski.
Protesta e iniciativës “Stop Çimentos Usje” kundër ndotjes së ajrit në Shkup lidhet me funksionimin e kësaj fabrike kundër të cilës edhe më herët qindra qytetarë kanë protestuar për zhvendosjen e saj jashtë qytetit.
Qyteti i Shkupit ka miratuar një iniciativë për dislokimin e fabrikës jashtë zonave urbane, por kompania mohon se është shkaktar i ndotjes, duke theksuar se emetimet janë nën vlerat ligjore dhe monitorohen vazhdimisht.
Shkupi vazhdon të mbetet me ajër shumë të ndotur, shpesh duke u renditur mes qyteteve me ajrin më të ndotur.
Fabrika e çimentos Usje, e cila ndodhet në periferi të kryeqytetit, është një nga kompanitë kryesore të prodhimit të çimentos dhe materialeve të ndërtimit për tregun vendas dhe atë rajonal.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
