Qytetarët e Sarajevës bënë homazhe për viktimat e gjenocidit, të cilët do të varrosen më 11 korrik në Potoçari
- Arkivolet me eshtrat e shtatë viktimave të gjenocidit u shoqëruan në heshtje, me lutje, lule dhe lot për në Potoçari ku viktimat do të gjejnë vendin e tyre të fundit të prehjes

Sarajevë
SARJAEVË (AA) - Në heshtje, me lutje, lule dhe lot, qytetarë të shumtë të Sarajevës përcollën arkivolet që mbanin eshtrat e shtatë viktimave të gjenocidit të kryer në Srebrenicë në korrik të vitit 1995, përpara Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës në Sarajevë, raporton Anadolu.
Më herët, të mërkurën në mëngjes, një automjet me arkivolet e viktimave që do të varrosen në varrezat e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës në Potoçari më 11 korrik, në 30-vjetorin e gjenocidit kundër boshnjakëve, pas një shërbimi kolektiv funeral, u nis nga Visoko.
Gjatë rrugës për në Potoçari, kolona ndaloi shkurtimisht në Ilijash dhe Vogoshqa, dhe pasi bëri homazhe para Presidencës së BeH-së, do të vazhdojë nëpër qendër të Sarajevës, me ndalesa simbolike në Memorialin për Fëmijët e Vrarë të Rrethimit të Sarajevës 1992-1995 dhe në tregun Markale, ku ndodhën dy masakra të mëdha ndaj civilëve në qytetin e rrethuar.
Këtë vit në Potoçari do të varrosen: Senajid (Husein) Avdiq (1976), Hariz (Ramiz) Mujiq (1976), Fata (Huso) Bektiq (1928), Hasib (Adem) Omeroviq (1961), Sejdalija (Alija) Aliq (1964) dhe Amir (Ibrahim) Mujçiq (1964).
Viktimat do të varrosen pranë të afërmve të tyre, kështu që babai do të gjejë paqe pranë të birit, vëllai do të varroset pranë vëllait të tij, djali do të ulet në tokë pranë eshtrave të të atit.
Viktimat më të reja që do të varrosen këtë vit janë të rinj që ishin 19 vjeç në kohën e vdekjes së tyre - Senajid (Husejin) Avdiq dhe Hariz (Ramiz) Mujiq.
Të dy u vranë në korrik të vitit 1995. Mbetjet mortore të Avdiqit u zhvarrosën në zonën e Suljiqit në tetor të vitit 2010 dhe u gjetën në sipërfaqen e lokalitetit. Mbetjet mortore të Hariz Mujiqit u gjetën gjithashtu në sipërfaqen e terrenit, të pavarrosura, gjatë një zhvarrimi në mars të vitit 2022 në vendin e Baljkovicës, pranë Zvornikut.
Viktima më e vjetër që do të varroset është Fata (Huso) Bektiq, e cila ishte 67 vjeçe në kohën e vdekjes së saj. Ajo është gjithashtu e vetmja grua që gjeti prehjen e fundit këtë vit në Potoçari. Eshtrat e saj u gjetën 26 vjet pas vdekjes së saj, gjatë një zhvarrimi në qershor 2021 në Potoçari.
Mbetjet mortore të viktimave që do të gjejnë vendin e tyre të fundit të prehjes këtë vit u gjetën në varret e Lipljes, Baljkovicës, Suljiqit dhe vendit të quajtur "Kameniçko brdo". Në shumicën e rasteve, trupat janë të paplotë, kështu që disa nga familjet e viktimave do të varrosin një ose dy kocka në tokë.
Eshtrat e Hasib Omeroviqit, i cili ishte 34-vjeç kur u vra, u zhvarrosën në vitin 1998.
Konvoji me eshtrat e viktimave të gjenocidit pritet të mbërrijë në Potoçari në orët e vona të pasdites.