Qeveria në detyrë e Kosovës ndan mbi 304 mijë euro për Luginën e Preshevës
Në mbledhjen elektronike të qeverisë, u mor vendimi për ndarjen e këtyre mjeteve buxhetore për tekste shkollore për nxënësit shqiptarë në Serbi si dhe për ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës së Preshevës.

Prishtinë
Kabineti qeveritar i Qeverisë në detyrë të Kosvoës, në mbledhjen e 271-të ka marrë vendim për ndarjen e mbi 304 mijë eurove për shqiptarët që jetojnë në Luginën e Preshevës, në territorin e Serbisë, transmeton Anadolu.
Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se në mbledhjen elektronike të qeverisë, u mor vendimi për ndarjen e këtyre mjeteve buxhetore për tekste shkollore për nxënësit shqiptarë në Serbi si dhe për ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës së Preshevës.
“Qeveria ka ndarë 304.511,16 euro, sipas Memorandumit të nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar, për pajisjen me 35.448 tekste shkollore për 3.650 nxënës shqiptarë të shkollave fillore të komunave Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe për avokimin dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Luginës së Preshevës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare përkatëse”, bëhet e ditur në njoftim.
Kjo nuk është hera e parë që Qeveria ka ndarë mjete buxhetore për Luginën e Preshevës. Në korrik të këtij viti, ajo ndau mbi gjysmë milioni euro për mbështetje financiare në bashkëfinancimin e projektit të ndërtimit të shkollës së muzikës dhe muzeut të Preshevës.