BALLKANI

"Qeveria e Shqipërisë mbështetje për rikthimin e mjekëve të diasporës"

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, tha se largimi i mjekëve nga Shqipëria nuk është një fenomen vetëm shqiptar, ndërsa sipas saj po përgatitet një paketë mbështetjeje për rikthimin e mjekëve të diasporës

Saimir Alija  | 20.02.2020 - Përdıtësım : 21.02.2020
"Qeveria e Shqipërisë mbështetje për rikthimin e mjekëve të diasporës" ( Olsi Shehu - Anadolu Agency )

Tiranë

Qeveria e Shqipërisë po përgatit një paketë të plotë mbështetëse për kthimin e mjekëve shqiptarë të diasporës, tha sot gjatë aktivitetit "Takimi i mjekësisë në diasporë", ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, raporton Anadolu Agency (AA).

Aktiviteti u organizua nën kujdesin e ministrit të Shtetit për Diasporën dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të institucioneve të ndryshme dhe mjekëve shqiptarë të diasporës.

Në fjalën e tij ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, tha se diaspora shqiptare është një vlerë e shtuar e kombit shqiptar.

"Ajo nuk është thjeshtë një burim të ardhurash financiare, por një kapital i madh njerëzor dhe vlerash. Sot në perëndim janë me dhjetëra mjekë shqiptarë që ushtrojnë profesionin e mjekut. Ato janë në krye të klinikave të specializuara apo pjesë e ekipeve të kërkimeve në shkencat mjekësore. Në këtë aktivitet të parë dua të nënvizoj dëshirën dhe përkrahjen që të kthehet në një aktivitet të përvitshëm", tha Majko.

Sipas tij, ky takim do të jetë një mundësi e përvitshme për të krijuar një bashkëpunim të ndërsjellë dhe një shkëmbim të informacioneve për sistemin kombëtar dhe ndërkombëtar shëndetësor.

"Në Gjermani sipas të dhënave janë përqendruar numri më i madh i mjekëve të larguar nga Shqipëria. Sipas të dhënave të shoqatës gjermane të mjekëve në vitin 2018 numri i mjekëve shqiptarë ishte 630 persona. Mjekët janë organizuar në shoqata në Itali dhe në Zvicër. Ende nuk ekzistojnë statistika të plota për të treguar numrin e mjekëve shqiptarë jashtë vendit. Numri i tyre në Zvicër mund të shkojë mes 300-400, shumica e tyre janë mjekë që kanë emigruar nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në SHBA ka gjithashtu një numër të konsiderueshëm mjekësh", tha Majko.

Në përfundim të fjalës së tij Majko tha se këto takime synojnë realizimin e një rrjeti global të mjekëve shqiptarë në botë.

Ndërsa ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në fjalën e saj tha se largimi i mjekëve nga Shqipëria nuk është një fenomen vetëm shqiptar. Ajo theksoi se Qeveria e Shqipërisë po përgatit një paketë mbështetjeje për rikthimin e mjekëve të diasporës.

"Ky është një objektiv ambicioz për të cilin do të duhet kontributi dhe vullneti i qeverisë i cili ekziston për të ndërtuar këtë paketë mbështetjeje për rikthimin e mjekëve në diasporë", tha ajo.

Duke iu drejtuar mjekëve shqiptarë të diasporës, Manastirliu theksoi se "Shumë prej jush janë larguar nga Shqipëria në një kohë kur Shqipëria dhe shëndetësia nuk ka qenë në ditët e saj më të mira. Ju e dini shumë mirë se sa e vështirë është të ndërtosh një sistem shëndetësor. Është e vështirë dhe përballesh me plot sfida të transformosh mendësinë, mentalitetin dhe të rrisësh besimin e atyre që e kanë humbur atë".

"Në dy vitet e fundit janë 113 mjekë të huaj, të cilët ushtojnë profesionin e tyre në Shqipëri. Ata kanë gjetur këtu mjedise të përshtatshme qoftë në sistemin jo publik por edhe në sistemin publik, ku hapat e parë janë në vijim e sipër. Largimi i mjekëve shoqërohet dhe me rikthimin e tyre. Sot kemi shembuj kuptimplotë të atyre mjekëve që kanë zgjedhur Shqipërinë", u shpreh Manastirliu.

Diskutimet në aktivitet u përqendruan në tematikat që lidhen me politikat dhe programet e punësimit në sektorin e shëndetësisë, inovacionet në sektorin e shëndetësisë, eksperienca e mjekëve nga diaspora të rikthyer në Shqipëri dhe eksperienca e mjekëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë Shqipërisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın