BALLKANI

Qeveria e Shqipërisë dërgon në Gjykatën Kushtetuese vendimin për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Balluku

Në kërkesën e saj, Qeveria e Shqipërisë e konsideron vendimin e pezullimit si "një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave"

Fatjon Cuka  | 21.11.2025 - Përdıtësım : 21.11.2025
Qeveria e Shqipërisë dërgon në Gjykatën Kushtetuese vendimin për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Balluku

Tiranë

Qeveria e Shqipërisë ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku, transmeton Anadolu.

Në uebfaqen e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë është publikuar kërkesa në fjalë, ku ndër të tjera thuhet se kërkohet shfuqizimi i vendimit të GJKKO-së për masën e pezullimit të ushtrimit të detyrës së zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në kërkesën e saj, Qeveria e Shqipërisë e konsideron vendimin e pezullimit si "një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave".

Në objektin e kërkesës thuhet se kërkohet: "Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), nga ana tjetër, lidhur me pezullimin e ushtrimit të detyrës së anëtarit të Këshillit të Ministrave. Shfuqizimin e vendimit datë 19.11.2025, të GKKKO-së, për pjesën që ka disponuar vendosjen e masës ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, si një akt që cenon garancinë e imunitetit të anëtarit të Këshillit të Ministrave, parimin e ndarjes së pushteteve dhe kompetencat e organeve, që Kushtetuta ka caktuar si autoritete, që propozojnë, emërojnë dhe miratojnë ministrat në detyrë”.

Gjithashtu kërkohet pezullimi i efekteve të vendimit të mësipërm të GJKKO-së, deri në përfundimin e gjykimit të kësaj kërkese nga Gjykata Kushtetuese.

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Edi Rama e konsideroi vendimin e GJKKO-së si një "akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv".

"Ky është një rast unikal në historinë e Evropës dhe po ashtu, edhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit evropian të vendeve të ish-lindjes komuniste, ku s’ka ndodhur kurrë që, një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie", ka theksuar Rama.

- Pezullimi nga detyra e zv/kryeministres Belinda Balluku

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi të pezullojë nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku dhe gjithashtu ka vendosur ndaj saj edhe masën "ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Më 31 tetor, SPAK konfirmoi akuzën ndaj Ballukut për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, ndërkohë sipas vendimit të gjykatës masat janë caktuar më 19 nëntor.

Më 20 nëntor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) konfirmoi masat ndaj Ballukut.

Balluku është e pandehur dhe akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

"Janë evidentuar shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike, në kuadër të dy procedurave të rëndësishme prokurimi: Ndërtimi i tunelit të Llogarasë, pjesë e seksionit rrugor Orikum-Himarë të autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë) dhe ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, të zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar", thuhet nga prokuroria.

Balluku e ka mbajtur postin e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë që prej janarit të vitit 2019 dhe të zv/kryeministres prej korrikut 2022, në qeveritë e drejtuar nga kryeministri Rama.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.