BALLKANI

Qeveria e Shqipërisë njofton heqjen e masave për ndalimin e platformës TikTok

Vendimi i konfirmuar nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë mban datën 3 shkurt 2026.

Fatjon Cuka  | 05.02.2026 - Përdıtësım : 05.02.2026
Qeveria e Shqipërisë njofton heqjen e masave për ndalimin e platformës TikTok

Tiranë

Qeveria e Shqipërisë ka reaguar zyrtarisht në lidhje me vendimin për heqjen e masave për ndalimin e aksesit në platformën online TikTok, transmeton Anadolu.

Vendimi i konfirmuar nga Këshilli i Ministrave të Shqipërisë mban datën 3 shkurt 2026.

Në një njoftim nga Këshilli i Ministrave thuhet se heqja e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën online TikTok është rezultat i një rivlerësimi institucional dhe i adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.

"Masa e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mars 2025 u konceptua dhe u zbatua si një ndërhyrje e parandaluese, në funksion të mbrojtjes së interesit publik dhe adresimit të shqetësimeve të evidentuara gjatë asaj periudhe. Ajo shërbeu edhe për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me platformën, duke vendosur bazat për mekanizma të rinj sigurie, të cilët më parë nuk ishin të pranishëm. Sot, autoritetet shqiptare janë në partneritet me përfaqësuesit e TikTok, për filtrat mbrojtës përmes fjalëve kyçe, kontrollet e përmbajtjes dhe modalitetet më efikase të raportimit dhe trajtimit të shkeljeve", thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se ky vendim shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.

"Paralelisht, po punohet për hartimin e një plani të mirëfilltë komunikimi dhe ndërgjegjësimi, të fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të platformave online. Qëllimi është i qartë dhe i orientuar drejt edukimit digjital, mbrojtjes reale dhe ndërtimi i një kulture sigurie në hapësirën online", thuhet në njoftimin e qeverisë.

Më tej theksohet se kjo qasje e balancuar synon të garantojë lirinë e aksesit, "duke vendosur njëkohësisht interesin e sigurisë dhe mirëqenies së të rinjve në qendër të politikave publike".

Ndërkohë, në një reagim në lidhje me çështjen, Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) deklaroi se më 5 shkurt 2026, ishte planifikuar të zhvillohej seanca në Gjykatën Kushtetuese lidhur me bllokimin e platformës TikTok në Shqipëri.

Gjithashtu AGSH ka njoftuar se më 3 shkurt, Këshilli i Ministrave i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për pushimin e çështjes, me argumentin se ajo ka mbetur "pa objekt".

Kujtojmë se AGSH kishte dërguar çështjen në fjalë në Gjykatën Kushtetuese për të kundërshtuar vendimin për mbylljen e platformës TikTok.

- Vendimi për mbylljen e platformës TikTok

Më 6 mars të vitit 2025 Qeveria e Shqipërisë miratoi vendimin për mbylljen e qasjes në TikTok për 12 muaj.

Vendimi në fjalë ishte marrë pas vrasjes të një nxënësi 14-vjeçar nga një bashkëmoshatar i tij në nëntor të vitit 2024 dhe pas rasteve të konflikteve mes të miturve që ekspozohen edhe online.

Qeveria shqiptare kishte vendosur ndërprerjen e qasjes në TikTok në territorin e Shqipërisë, sipas autoriteteve deri në momentin që kjo platformë të zbatojë standardet e sigurisë dhe moshës për përdoruesit e mitur.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.