Qeveria e re e Kosovës mban mbledhjen e parë
Kryeministri Albin Kurti tha se kabineti i zgjedhur prej tij ka potencialin të jetë më i suksesshmi në historinë e re të Kosovës
Prishtinë
Vetëm disa orë pas miratimit të Qeverisë së re në Kuvendin e Kosovës, është mbledhur në mëngjes kabineti qeveritar duke mbajtur mbledhjen e parë, raporton Anadolu.
Kryeministri Albin Kurti tha se me formimin e Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë së re, tani është hapur rruga për miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të cilat kishin mbetur pa u miratuar në legjislaturën e kaluar.
Ai tha se kabineti i zgjedhur prej tij ka potencialin të jetë më i suksesshmi në historinë e re të Kosovës.
“Pritjet që qytetarët kanë nga ne janë dëshmi e standardit të cilin e kemi vendosur vet ne, të cilin duhet ta nderojmë, ta përmbushim çdo ditë. Jemi mbledhur qysh në ditën e parë të punës për të miratuar një listë të marrëveshjeve ndërkombëtare që po presin për një kohë të gjatë miratimin në Kuvend”, tha Kurti.
Kurti tha se në nëntor 2025, Kuvendi u shpërnda pa miratuar Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian në vlerë prej 882.6 milionë euro dhe tre marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro duke rrezikuar përfitimet nga to.
Pas fjalës hyrëse të Kurtit, kabineti qeveritar miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e Parë për “Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrushmërinë dhe Rritjen e Gjelbër” mes Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Bankës Botërore).
Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se marrëveshja ka vlerë totale prej 90.3 milionë euro, periudha e kthimit është 12 vjet, ndërsa norma e interesit është zero për qind.
Marrëveshja tani pritet të shkojë në Kuvend për t'u ratifikuar, ndërsa Kurti tha se shpreson që kjo të ndodhë “qysh sot”.
E premtja e 13 shkurtit është dita e fundit kur Kuvendi i Kosovës ka kohë të ratifikojë marrëveshjen me Bankën Botërore në vlerë prej 90.3 milionë eurosh.
Gjitashtu, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e parë ka proceduar në Kuvend projektligjin për buxhetin e vitit 2026, për të cilin kryeministri Kurti ritheksoi se vlera e buxhetit është 4 miliardë euro ku për komunat parashihen 867 milionë euro.
Për herë të parë në Kosovë, në kuadër të këtij buxheti, punëtorët e sektorit publik do të paguhen me pagën e 13-të.
Me 66 vota pro dhe 49 kundër, Kuvendi i Kosovës votoi për të miratuar qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti.
