BALLKANI

Qeveria e Maqedonisë së Veriut mban seancë solemne për Ditën e Alfabetit Shqip

“Kjo ditë është e rëndësishme edhe për vendin tonë. Maqedonia është shtëpi e diversitetit që nuk na ndan, por përkundrazi pasuron rrëfimin tonë të përbashkët kombëtar”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

Shpetim Hiseni  | 22.11.2025 - Përdıtësım : 22.11.2025
Qeveria e Maqedonisë së Veriut mban seancë solemne për Ditën e Alfabetit Shqip Foto: Qeveria e Maqedonisë së Veriut

Shkup

Qeveria e Maqedonisë së Veriut shënoi sot 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, me një seancë solemne, në të cilën u dërguan mesazhe për rëndësinë e kësaj dite dhe u theksua se vendi është shtëpia e diversitetit që nuk ndan, por përkundrazi pasuron rrëfimin e përbashkët kombëtar të vendit, transmeton Anadolu.

“Suksesi është projekti ynë i përbashkët. Vetëm nëse jemi të përkushtuar ndaj respektit, besimit dhe përgjegjësisë do të jemi në gjendje të arrijmë rezultate që do ta çojnë atdheun përpara”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.

Mickoski uroi Ditën e Alfabetit Shqip, e cila, siç tha ai, mbart simbolikë të fortë historike dhe kulturore.

Në Kongresin e Manastirit të vitit 1908, theksoi ai, inteligjenca shqiptare bëri një hap të madh drejt krijimit të një alfabeti të unifikuar, themel i kohezionit gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve.

“Ishte një akt me rëndësi të thellë evropiane, një akt modernizimi, edukimi dhe hapjeje. Në një periudhë kur Ballkani po kalonte sfida të vështira, Kongresi i Manastirit tregoi se forca e një shoqërie buron nga dija, gjuha dhe besimi në të ardhmen”, theksoi ai.

“Kjo ditë është e rëndësishme edhe për vendin tonë. Maqedonia është shtëpi e diversitetit që nuk na ndan, por përkundrazi pasuron rrëfimin tonë të përbashkët kombëtar. Komuniteti shqiptar, me kulturën, gjuhën, traditën dhe vlerat e tij, është një pjesë thelbësore e vendit tonë”, porositi ai.

“Sot, kur shënojmë Ditën e Alfabetit Shqip, u bëjmë homazh brezave që luftuan për arsim, shkrim-lexim dhe zhvillim kulturor, por edhe të gjithë atyre që vazhdojnë atë rrugë sot”, shtoi Mickoski.

Ai më tej deklaroi se “atdheu ynë i përbashkët bazohet në idenë se çdo qytetar ka një vend, vlerë dhe mundësi të barabartë”.

Kryeministri tha se qeveria e tij mbetet e përkushtuar ndaj politikave që ndërtojnë besim ndëretnik, krijojnë hapësirë ​​për zhvillimin dinjitoz të gjuhëve dhe kulturave dhe forcojnë kohezionin midis të gjithë qytetarëve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın