Qeveria e Maqedonisë së Veriut me rekomandime shtesë për punëdhënësit për shkak të të nxehtit ekstrem
- Qeveria ka rekomanduar lirimin nga detyrimet e punës për gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç.

Shkup
Shkup (AA) – Për shkak të valës së të nxehtit që ka përfshirë Maqedoninë e Veriut, qeveria e vendit ka lëshuar rekomandime për punëdhënësit që do të vlejnë nga data 23 deri më 26 korrik 2025, ku rekomandohet lirimi nga detyrimet e punës për gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç, transmeton Anadolu.
Sipas njoftimit të qeverisë, masa gjithashtu përfshin mundësinë për punë nga distanca, orar fleksibil apo punë me dy ndërrime, aty ku është e zbatueshme.
Më herët, Ministria e Shëndetësisë informoi publikun se, sipas parashikimit më të fundit të Entit Hidrometeorologjik, vala e të nxehtit me temperatura mbi 40 gradë Celsius do të zgjasë deri më 26 korrik 2025.
“Në bazë të efektit të akumuluar të ekspozimit të zgjatur ndaj temperaturave të larta mbi shëndetin e kategorive të ndjeshme të popullsisë, qeveria, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, miratoi rekomandime shtesë për punëdhënësit për periudhën 23-26 korrik”, thuhet në njoftim.
Rekomandimet nuk vlejnë për të punësuarit në infrastrukturën kritike, si sektori i shëndetësisë, policia, ushtria, transporti, energjetika dhe ndërmarrjet publike komunale.
Përveç kësaj, qeveria rikujtoi masat që tashmë janë në fuqi sipas planit të veprimit: pezullimi i punës nga ora 11:00 deri në 17:00 për punëtorët e ekspozuar ndaj të nxehtit të drejtpërdrejtë; krijimi i kushteve mikroklimatike për punë në ambiente me temperaturë deri në 25 gradë Celsius, përveç kur natyra e punës nuk e lejon ndryshe; informim i vazhdueshëm i publikut, aktivizimi i protokolleve të brendshme për punë në kushte të jashtëzakonshme në të gjitha institucionet shëndetësore, shtëpitë e të moshuarve dhe institucionet arsimore.
Të gjitha institucionet e tjera të përfshira në planin e veprimit janë ftuar të vazhdojnë me zbatimin e detyrimeve dhe aktiviteteve të tyre.
Njëkohësisht, Ministria e Shëndetësisë apeloi deri te qytetarët të respektojnë rekomandimet për mbrojtje personale, si qëndrimi në ambiente të freskëta (veçanërisht nga ora 11:00 deri në 17:00), marrja e lëngjeve në sasi të mjaftueshme, shmangia e alkoolit dhe pijeve të ëmbla, veshja e rrobave të lehta dhe me ngjyrë të hapur, mbrojtja e kokës dhe syve, dhe shmangia e aktivitetit fizik në orët më të nxehta.
Në rast të simptomave si marramendje, dhimbje koke, të përziera apo rrahje të shpejta të zemrës, Ministria rekomandoi të kërkohet menjëherë ndihmë mjekësore dhe qëndrimi në ambiente të freskëta, si në vendin e punës ashtu edhe në shtëpi.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.