"Qeveria e Kosovës mohon të ketë marrë vendim për ndalimin e hyrjes së zyrtarëve serbë"
“Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk ka marrë një vendim të tillë”, thuhet në njoftimin zyrtar të ekzekutivit të Kosovës

Prishtinë
Qeveria e Kosovës ka mohuar se ka marrë vendim për ndalimin e hyrjes në Kosovë të zyrtarëve serbë edhe pse për një gjë të tillë dje bëri të ditur Jetlir Zyberaj, këshilltari politik i ministrit të Jashtëm të Kosovës, Begjet Pacollit, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Pas raportimeve të fundit dhe adresimit të shumë medieve me pyetje rreth deklaratave për ndalesën e hyrjes në Kosovë për qytetarët serbë, njoftojmë opinionin se, Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk ka marrë një vendim të tillë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Njoftimi thotë se “protokolli i vizitave të zyrtarëve nga shteti i Serbisë tashmë është i njohur dhe secila kërkesë trajtohet në bazë të procedurave ligjore”.
Gjatë ditës edhe kryeministrja serbe Ana Brnabiç ka bërë të ditur se në samitin që është zhvilluar dje në Poznan të Polonisë ka pasur rastin ta takojë kryeministrin Ramush Haradinaj në një takim jozyrtar i cili e ka cilësuar si të rremë lajmin për ndërmarrjen e ndonjë vendimi të tillë nga Qeveria e Kosovës.
Dje këshilltari politik i ministrit Pacolli, Jetlir Zyberaj, njoftoi nëpërmjet profilit të tij në Facebook se Ministria e Jashtme ka vendosur që të mos lejojë asnjë zyrtar serb në Kosovë dhe të gjitha kërkesat e tyre për të hyrë në territorin e Kosovës do t’u refuzohen.
Megjithatë, Zyberaj, sot nëpërmjet një deklarimi me shkrim për AA vazhdoi të thotë se "vendimi i MPJ-së nuk do ta lejojë asnjë zyrtar serb ta vizitojë Kosovën". I pyetur nëse ka ndonjë mosmarrëveshje midis ministrit Pacolli dhe kryeministrit Haradinaj, Zyberaj tha se një gjë e tillë “absolutisht nuk ekziston”.
Lajmi i ndalimit të zyrtarëve serbë për ta vizituar Kosovën u transmetua dje në pothuajse të gjitha mediat, gjë që çoi deri tek reagimet e ashpra të zyrtarëve të lartë shtetërorë serbë të cilët e quajtën po ashtu edhe si një “shuplakë për BE-në”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.