Qeveria e Kosovës miraton propozim-vendimin për dërgimin e FSK-së në Gaza
Ministri Maqedonci tha se zbarkimi i FSK-së në kuadër të këtij misioni ndërkombëtar të drejtuar nga partneri strategjik SHBA-ja është në përputhje me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së
Prishtinë
Qeveria e Kosovës ka miratuar sot propozim-vendimin për dërgimin e kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), si pjesë e Forcës Stabilizuese Ndërkombëtare për Gazën, raporton Anadolu.
Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se FSK-ja është e gatshme të marrë pjesë në këtë Forcë dhe për ta ndihmuar popullin e Gazës, edhe për shkak se vetë Kosova ka qenë përfituese e forcave ndërkombëtare që nga vitit 1999.
Propozim vendimin në mbledhjen e Qeverisë e ka arsyetuar ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ai tha se ky është një vendim me peshë shtetërore, me përgjegjësi institucionale dhe me domethënie të veçantë për Republikën e Kosovës.
Maqedonci tha se zbarkimi i FSK-së në kuadër të këtij misioni ndërkombëtar të drejtuar nga partneri strategjik SHBA-ja është në përputhje me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila ka krijuar kornizën ndërkombëtare për stabilizimin e situatës në Gaza dhe për mbështetjen e një force të përkohshme ndërkombëtare, me fokus në siguri, stabilitet, mbrojtje të civilëve dhe mbështetje të përpjekjeve humanitare.
"Ky është një angazhim i matur, profesional dhe i koordinuar, në kuadër të një force stabilizuese, me mandat të qartë dhe me objektiva të përcaktuara. Për Kosovën, përveç tjerash, vendimi i sotëm ka edhe rëndësi historike. Nga një vend që kishte nevojë për forca stabilizuese ndërkombëtare, po transformohemi në vend që kontribuon në stabilitetin ndërkombëtar. Një dëshmi kjo e zhvillimit të Republikës sonë, e maturisë së institucioneve tona dhe e profesionalizmit të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës", tha Maqedonci.
Ministri kosovar tha se siguria e pjesëtarëve të FSK-së do të jetë prioritet absolut dhe çdo angazhim do të realizohet vetëm në bazë të vlerësimeve të plota operative, me masa të plota mbrojtëse, me koordinim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe pa cenuar gatishmërinë operacionale të FSK-së për detyrën primare të misionit të saj; mbrojtjen e Republikës së Kosovës.
Tani ky propozim-vendim i Qeverisë do t'i kalojë për miratim Kuvendit të Kosovës dhe duhet të miratohet nga shumica parlamentare për të hyrë në fuqi.
