BALLKANI

Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për buxhetin e vitit 2024

"Buxheti për Ministrinë e Brendshme për herë të parë do të tejkalojë 216 milionë euro dhe për Ministrinë e Mbrojtjes mbi 153 milionë euro apo rreth 370 milionë euro për sektorin që i bije rreth 22 për qind më shumë se sa viti 2023”, theksoi Kurti

Agim Sulaj  | 31.10.2023 - Përdıtësım : 31.10.2023
Qeveria e Kosovës miraton projektligjin për buxhetin e vitit 2024 Foto: Agim Sulaj/AA

Prishtinë

Qeveria e Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme ka miratuar Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2024 ku parashihet buxheti prej 3 miliardë e 314 milionë eurove, raporton Anadolu.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti Kurti, para kabinetit qeveritar tha se megjithëse qeveria u përball me sfida të ndryshme në kohën e fundit, përfshirë pandeminë, krizën energjetike dhe inflacionin, ajo vijoji mbështetjen e kategorive të ndryshme të qytetarëve.

Kurti tha se për 31 muaj të mandatit të qeverisë që udhëheqë ai, ekonomisë i janë shtuar 60 mijë vende pune ku gjysma e të punësuarve janë të rinj dhe të reja nën 25-vjeçar.

Për buxhetin e vitit 2024, Kurti tha se vëmendje e veçantë i është kushtuar sigurisë dhe mbrojtjes.

“Me këtë buxhet kujdes të veçantë po i japim mbrojtjes dhe sigurisë. Prandaj, për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë. Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të tejkalojë 216 milionë euro dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro apo rreth 370 milionë euro për sektorin që i bije rreth 22 për qind më shumë se sa viti 2023”, theksoi Kurti.

Sa i përket Ministrisë së Arsimit, bashkë me grantet që u ndahet komunave, mbështetja buxhetore për të do të jetë 370 milionë euro apo rreth 20 për qind më shumë se sa në vitin 2023.

Kryeministri Kurti po ashtu tha se shëndetësia do të vazhdojë të jetë prioritet ku do të vazhdohet me renovim të spitaleve, blerje të pajisjeve mjekësore e të tjera, me mbështetje financiare prej 340 milionë eurove.

Si asnjëherë më parë, buxheti për vitin 2024 është rritur edhe për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, veçanërisht për shkak se Kosova fitoi të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare 2030.

“Kemi ndarë 58 milionë euro vetëm për investimet kapitale vetëm për vitin 2024, ndërsa trendi njëjtë duhet të vazhdojë edhe në vitet pasuese sepse Kosova po bëhet konkurrente serioze në sport”, theksoi Kurti.

Tutje, kryeministri theksoi se me këtë buxhet do të vazhdohet mbështetja për investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore dhe hekurudhore, në zona të reja ekonomike, në diga e rrjete të ujësjellësit dhe në kapacitete të reja energjetike ndërsa paraparë buxhet prej 860 milionë eurove për investime kapitale.

Për komunat e Kosovës nga buxheti i vitit 2024 u tha se janë ndarë 742 milionë euro nga të cilat 635 milionë euro janë grat që u jepet komunave nga Qeveria, kurse 107 milionë euro janë të hyra vetanake të cilat komunat i mbledhin.

Projektligji mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2024 tani i është dërguar edhe Kuvendit të Kosovës, ku më pas kërkon shumicë votash parlamentare për miratim final.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.