Përurohet kampusi i ri qendror i Universitetit të New Yorkut në Tiranë
"Vizioni kryesor i Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT) është që brezit të ri t'i ofrojë arsim cilësor sipas standardeve ndërkombëtare", tha kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Birol Akgün
Tiranë
Në Tiranë është mbajtur ceremonia e inaugurimit të kampusit të ri qendror të Universitetit të New Yorkut në Tiranë (UNYT), universitet i Fondacionit Turk Maarif, raporton Anadolu.
Në ceremoninë e organizuar në ambientet e kampusit të ri ishin të pranishëm kryetari i Fondacionit Turk Maarif, Birol Akgün, ambasadori turk në Tiranë, Tayyar Kağan Atay, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri, Mesut Özbaysar, drejtues të UNYT-së, përfaqësues të tjerë të institucioneve turke, pedagogë dhe studentë.

Në një deklaratë për Anadolu, Akgün tha se Universiteti i New Yorkut i Tiranës është një universitet ndërkombëtar që funksionon nën administrimin e Fondacionit Turk Maarif dhe shtoi se që nga dita që është marrë nën administrim, kanë bërë investime serioze për të rinovuar infrastrukturën fizike dhe teknologjike të universitetit.
Ai shtoi se këtë ceremoni sot po e zhvillojnë për të hapur kampusin kryesor të universitetit. "Vizioni kryesor i këtij universiteti është sigurisht që brezit të ri t'i ofrojë arsim cilësor sipas standardeve ndërkombëtare. Në këtë aspekt, ofron mundësi shumë të rëndësishme për të edukuar brezin e ri në Shqipëri që dëshiron të përgatitet mirë për të ardhmen", u shpreh Akgün.
Ai tha se synimi është që universitetin ta kthejnë në një qendër kërkimore, ndërsa foli edhe mbi organizimin e konferencave ndërkombëtare dhe aktiviteteve të tjera.
Akgün theksoi se marrëdhëniet Türkiye-Shqipëri tashmë janë të shkëlqyera në shumë aspekte. “Me aktivitetet e deritanishme dhe vizionin që kemi zhvilluar, po përpiqemi të jemi një qendër edukimi, trajnimi dhe platforme diskutimi intelektuale ndërkombëtare që ofron shërbime të rëndësishme në fushën e arsimit, kulturës dhe rritjes së brezave të rinj", tha Akgün.
Ndërkohë, gjatë fjalës në ceremoni Akgün theksoi se zhvillimi i universitetit është vërtet i jashtëzakonshëm, që sipas tij jo vetëm është zgjeruar me kampuset të reja, me teknologjitë dhe objektet, por edhe me studiuesit dhe profesorët.
Ambasadori Atay në fjalën e tij në ceremoni tha se është i sigurt që kampusi i ri do t'u sigurojë studentëve dhe stafit të universitetit një atmosferë më të përshtatshme në aktivitetet e tyre të mësimdhënies. Ai shtoi se cilësia e arsimit dhe reputacioni i Universitetit të New Yorkut në Tiranë do të forcohet.
"Viti 2023 ka qenë një vit i veçantë si për Türkiyen, ashtu edhe për Shqipërinë. Gjatë gjithë vitit ne kemi festuar 100-vjetorin e Republikës Turke, si dhe 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Türkiyes. Hapja e këtij kampusi të ri ka përkuar fatmirësisht me këtë sezon festimesh, teksa Shqipëria ecën e sigurt në rrugën e saj të integrimit evropian", u shpreh ambasadori Atay.
Atay tha se rritja e kapaciteteve dhe cilësisë së arsimit të këtij universiteti do të ndihmojë Shqipërinë në sigurimin e kapitalit njerëzor të kualifikuar.
Një fjalë përshëndetëse në ceremoni mbajti edhe rektori i UNYT-së, Prof. Dr. Erkan Erdemir, i cili tha se këtë vit po hapin një tjetër kampus të ri. "Ky është një tjetër moment historik i rëndësishëm në historinë e UNYT-së", theksoi Erdemir.
Sipas UNYT-së, me hapësirë prej 3.600 metra katrorë, godina e re 5-katëshe e Universitetit të New Yorkut pranë qendrës së Tiranës plotëson kushtet për rreth 1.460 studentë, duke ofruar klasa, laboratorë, hapësira rekreative, gjithçka e pajisur me teknologjinë e fundit të mësimdhënies e mësimnxënies. Sipas universitetit, i cili ka edhe një kampus tjetër në Tiranë, në fillim të vitit të ri akademik në tetor, u raportua një rritje rreth 106 për qind për regjistrimet. Studentët e UNYT-së përfaqësojnë më shumë se 27 kombësi. Falë lidhjes që në zanafillë të Universitetit të New Yorkut në Tiranë me SUNY Empire State University në New York, me të cilin institucioni ruan akreditim maksimal, ai ofron arsim në tre ciklet e studimeve, duke siguruar diplomë të dyfishtë në përfundim të programeve.
Fondacioni Turk Maarif, përveç Universitetit të New Yorkut në Tiranë, administron edhe disa institucione arsimore në sistemin parauniversitar në Shqipëri, si në Tiranë, Elbasan dhe Shkodër.
