BALLKANI

Përmbytjet në Shqipëri, autoritetet vazhdojnë angazhimin në disa zona

Situata më problematike me reshjet e shiut dhe përmbytjet është raportuar në qarqet Durrës, Lezhë, Gjirokastër dhe Shkodër, ku janë përmbytur banesa, biznese dhe tokë bujqësore

Fatjon Cuka  | 07.01.2026 - Përdıtësım : 07.01.2026
Përmbytjet në Shqipëri, autoritetet vazhdojnë angazhimin në disa zona

Tiranë

Në Shqipëri moti i keq me reshje të dendura shiu ka vazhduar edhe në orët e fundit, ndërkohë disa zona janë prekur nga përmbytjet, transmeton Anadolu.

Sipas autoriteteve shqiptare, përveç reshjeve të shiut, disa zona janë përfshirë edhe nga reshjet e borës.

Situata më problematike me reshjet e shiut dhe përmbytjet është raportuar në qarqet Durrës, Lezhë, Gjirokastër dhe Shkodër, ku janë përmbytur banesa, biznese dhe tokë bujqësore.

Nga reshjet e dendura të shiut u përfshi edhe Qarku i Tiranës, duke shkaktuar probleme në disa akse rrugore.

Ndërkohë, dhjetëra familje në disa zona të vendit janë evakuuar dhe sipas autoriteteve vazhdon puna në terren për të ndihmuar familjet e prekura nga përmbytjet.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë në një njoftim ka konfirmuar se koordinimi dhe puna për largimin e ujit dhe sigurinë e banorëve vazhdon në disa bashki të vendit.

"Nga dita e djeshme Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forca Tokësore vazhdojnë angazhimin me personel dhe mjete për kontrollin e situatës së krijuar nga reshjet", thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas informacioneve zyrtare nga Instituti i Gjeoshkencave i Shqipërisë, sot dhe nesër priten reshje intensive në të gjithë vendin.

"Si rezultat i reshjeve me intensitet të lartë të rëna gjatë ditëve të kaluara, të cilat do të vazhdojnë deri ditën e enjte, 8 janar, do të ketë rritje të prurjeve dhe niveleve në lumenjtë Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin", thuhet në njoftimin e publikuar sot nga instituti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın