Përkthimi i parë i Kuranit në shqip shënon 40-vjetorin
Ky jubile shënon një moment historik për besimtarët myslimanë shqiptarë, pasi botimi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe në vitin 1985 konsiderohet si një ndër arritjet më të mëdha në fushën e studimeve islame dhe dijes fetare në shqip

Prishtinë
Janë bërë 40 vjet që kur për herë të parë lexuesit shqiptarë patën mundësi që ta lexojnë të plotë Kuranin në gjuhën e tyre amtare, transmeton Anadolu.
Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës përmes Drejtorisë për Kulturë dhe Veprimtari Botuese organizoi akademi solemne kushtuar 40-vjetorit të botimit në gjuhën shqipe të Kuranit fisnik.
Ky jubile shënon një moment historik për besimtarët muslimanë shqiptarë, pasi botimi i parë i Kuranit në gjuhën shqipe në vitin 1985 konsiderohet si një ndër arritjet më të mëdha në fushën e studimeve islame dhe të përhapjes së dijes fetare në gjuhën amtare.
Drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese, Ramadan Shkodra, theksoi se akademia solemne është organizuar me qëllim të vlerësimit të kontributit të përkthyesit të Kuranit, Feti Mehdiu, i cili me punën e tij i dha një shërbim të veçantë fesë dhe kulturës shqiptare.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, duke çmuar lart angazhimin e Mehdiut, tha se përkthimi i Kuranit në shqip është një vepër që i ka shërbyer njëkohësisht Islamit dhe atdheut.
Në fjalën e tij, Hysen Matoshi theksoi se përkthimi i librave të shenjtë shkon përtej dimensionit fetar, pasi ata kanë luajtur rol të rëndësishëm në emancipimin dhe formësimin shoqëror.
Vetë autori i përkthimit, Feti Mehdiu, u shpreh i lumtur që tash e 40 vjet Kurani në shqip lexohet plotësisht nga të gjithë besimtarët shqiptarë.
Gjatë tubimit u kujtua se, edhe pse më herët kishte pasur përpjekje për përkthime të pjesshme të Kuranit, botimi i plotë i vitit 1985 përbën një kthesë të madhe në historinë e përkthimeve islame në shqip, duke mundësuar që Fjala e Zotit të lexohet dhe kuptohet në gjuhën amtare.
Në fund të akademisë, u hap edhe një ekspozitë me botime të ndryshme të përkthimeve të Kuranit, duke përfshirë edhe ribotime të viteve të fundit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.