Përfundon në Prishtinë projekti i "Gazetarisë për të rinj", ndahen certifikata për pjesëmarrësit
Punonjës të televizionit TRT ligjëruan para të rinjve mbi rëndësinë e gazetarisë mobile, ndikimin e gazetarisë qytetare si dhe temat më aktuale që lidhen me trendet e reja të gazetarisë dhe raportimin dixhital
Prishtinë
Ka përfunduar në Prishtinë projekti i "Gazetarisë për të rinj" (J4J), i organizuar nga Universiteti UBT në bashkëpunim me Institutin "Yunus Emre" dhe Televizionin shtetëror të Turqisë TRT, raporton Anadolu.
Gjatë trajnimit dyditor, punonjës të televizionit TRT ligjëruan para të rinjve mbi rëndësinë e gazetarisë mobile, ndikimin e gazetarisë qytetare si dhe temat më aktuale që lidhen me trendet e reja të gazetarisë dhe raportimin digjital.
Në përmbyllje të programit në selinë e Institutit "Yunus Emre" në Prishtinë, studentëve dhe nxënësve pjesëmarrës u janë shpërndarë certifikata si dëshmi e përfundimit me sukses të trajnimit.
Gjithashtu, nga 10 storje të punuara nga studentë të UBT-së, u zgjodh edhe storja më e mirë, e cila kishte të bënte me shfaqjen e anës kulturore të Prishtinës, qytetin e vjetër dhe të bërit muzikë gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Në aktivitet, përveç studentëve të UBT-së, morën pjesë edhe drejtues të Universitetit UBT, përfaqësues të Institutit "Yunus Emre" si dhe gazetarë dhe operatorë të TRT-së.
Programi "Gazetaria për të rinj" synon zhvillimin e aftësive të të rinjve në fushën e shkrim-leximit mediatik, gazetarisë mobile dhe raportimit modern të lajmeve në platformat digjitale.
Deri më tani, në kuadër të këtij projekti janë trajnuar mbi 4 mijë studentë në vende të ndryshme ndërsa trajnimet zhvillohen nga gazetarë profesionistë të TRT-së, të cilët njohin nga afër realitetin dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
