Përfundojnë festimet e Vidovdanit në Kosovë, 17 persona të ndaluar nën dyshimin për provokim
Njërit prej tyre i është shqiptuar masa e ndalimit, ndërsa një tjetër është ndëshkuar me fletëparaqitje për kundërvajtje. Katër janë liruar menjëherë pas intervistimit, ndërsa 11 të tjerë ndodhen ende në procedurë hetimore

Prishtinë
Festimet e festës serbe Vidovdan në Kosovë kanë përfunduar pa “incidente të mëdha”, por me ndalimin e disa personave nën dyshimin për provokim të pjesëmarrësve, transmeton Anadolu.
Qindra qytetarë të komunitetit serb nga Kosova dhe rajoni u mblodhën në Graçanicë dhe në Gazimestan, që ndodhet rreth shtatë kilometra nga kryeqyteti Prishtinë, për të shënuar festën Vidovdan, manifestime që u përcollën nën masa të rrepta të sigurisë nga policia kosovare.
Policia e Kosovës njoftoi se manifestimet e Vidovdanit në Gazimestan dhe Graçanicë kaluan pa “incidente të mëdha, përveç disa rasteve të izoluara ku janë shoqëruar persona për veprime provokuese”.
Sipas policisë, gjithsej 17 persona janë shoqëruar në stacione policore për intervistim, pasi dyshohet se kanë provokuar pjesëmarrësit dhe kanë mbajtur veshje me përmbajtje nxitëse dhe në kundërshtim me ligjet në fuqi të vendit.
Njërit prej tyre i është shqiptuar masa e ndalimit mbi dyshimin e bazuar për veprën penale “armëmbajtje pa leje”, ndërsa një tjetër është ndëshkuar me fletëparaqitje për kundërvajtje. Katër persona janë liruar menjëherë pas intervistimit, ndërsa 11 të tjerë ndodhen ende në procedurë hetimore.
Policia theksoi se të gjitha veprimet janë realizuar në koordinim me organet e drejtësisë dhe se masat për garantimin e sigurisë publike kanë qenë të gjithanshme, përkatësisht nga menaxhimi i trafikut dhe kontrolli kufitar deri te mbikëqyrja e rendit publik.
Veprimet e institucioneve kosovare i ka dënuar partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, e cila i ka quajtur ndalimet si veprime brutale dhe të turpshme të Prishtinës zyrtare.
Lista Serbe i ka konsideruar këto sjellje si sulm të hapur ndaj të drejtave të popullit serb, duke pretenduar se Policia e Kosovës është bërë “instrument i Albin Kurtit për goditje sistematike ndaj serbëve”.
Vidovdani festohet tradicionalisht edhe nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila kryen edhe rituale fetare si shenjë përkujtimi për ushtarët e vrarë në atë që njihet si Beteja e Kosovës.
Gazimestani në Kosovë njihet gjithashtu për fjalimin që presidenti i atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, mbajti atje në vitin 1989, fjalim i cili shpesh citohet si hyrje në konfliktet e armatosura që pasuan shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.