Protestë me katër gomerë para Kuvendit të Kosovës
Avokati Arianit Koci bashkë me shoqëruesin e tij kërkuan falje që maltretuan kafshët për t'i sjellë nga qyteti i Istogut deri në qendër të Prishtinës

Prishtinë
Avokati i njohur kosovar, Arianit Koci, në cilësinë e qytetarit ka protestuar në mënyrë të pazakontë para Kuvendit të Kosovës për të shprehur pakënaqësinë me mosformimin e institucioneve të reja që nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, raporton Anadolu.
Koci bashkë me një qytetar tjetër solli para hyrjes së Kuvendit të Kosovës katër gomerë, për të treguar "kokëfortësinë" e politikanëve të cilët për 41 herë me radhë po dështojnë të formojnë institucionin legjislativ të vendit, duke mos bërë një kompromis politik.
Avokati Koci bashkë me shoqëruesin e tij kërkuan falje që maltretuan kafshët për t'i sjellë nga qyteti i Istogut deri në qendër të Prishtinës.
"Këta simbolizojnë edhe kokëfortësinë apo kryeneqësinë. A ka më keq se 41 herë m'u mbledhë edhe mos të mund të votohet kryeparlamentari. Nuk ka. Thjeshtë po humbin paratë tona dhe ekonominë e kemi shumë keq. Unë nuk di një qytetar të Kosovës që jeton me shtrenjtimet e tanishme më mirë se para katër vjetësh", tha ai.
Koci dhe shoqëruesi i tij u penguan nga zyrtarët policorë që t'i afrohen derës nga ku hynë brenda në parlament deputetët e Kuvendit të Kosovës.
Megjithë protestës, ai tha se dëshiron të jetë faktor uniteti e jo faktor i ndasive.
Kuvendi i Kosovës sot nuk arriti të konstituohet as pas përpjekjes së 41-të me radhë.